Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka folur sot për herë të parë pas marrjes si të pandehur nga SPAK të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Nga foltorja e Kuvendit, Spiropali u shpreh se në Shqipëri “nuk ka të paprekshëm” dhe se kushdo duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit, pavarësisht funksionit që mban.
Deklarata e saj erdhi si përgjigje ndaj pyetjes së deputetit Agron Shehaj, kryetar i partisë “Mundësia”, i cili kërkoi të dinte pse Balluku nuk ka dhënë ende dorëheqjen, ndonëse është marrë e pandehur për korrupsion.
“Në historinë e Evropës, ndoshta për herë të parë, një zv.kryeministre merret e pandehur për korrupsion dhe vazhdon të jetë në detyrë. Si ua shpjegoni ju këtë kolegëve tuaj evropianë, ndërkohë që flisni për integrim në BE?”, pyeti Shehaj nga foltorja.
Spiropali theksoi se mazhoranca nuk ndërhyn dhe nuk komenton hetimet e drejtësisë, duke kujtuar se Reforma në Drejtësi është themeli që ndau politikën nga pushteti gjyqësor.
“Ne nuk do të sulmojmë prokurorë, gjyqtarë apo hetime në zhvillim. Kjo është një vijë ndarëse që e kemi vendosur që prej Reformës në Drejtësi. Pushteti politik nuk mund të vendosë kthetra mbi drejtësinë. Ne jemi të vendosur të luftojmë pandëshkueshmërinë, në çdo nivel”, tha ajo.
Deputeti Shehaj, megjithatë, nuk e kurseu kritikën ndaj qeverisë, duke akuzuar Ramën se mbron Ballukun edhe pas ngritjes së akuzës nga SPAK.
“Pa pikë turpi, ajo del sot përkrah kryeministrit. Disa ditë më parë Rama kërkonte që Veliaj të dilte para drejtësisë, ndërsa sot shfaqet me Ballukun e marrë e pandehur për korrupsion,” tha Shehaj.
Në mbyllje, Spiropali përsëriti qëndrimin se askush nuk është mbi ligjin:
“Në Shqipëri nuk ka të paprekshëm. Dhe ky është ndryshimi i madh mes nesh dhe një politike të vjetër që vazhdon që me akuza penale në drejtim të kundërshtarëve të bëjë politikën e ditës. Ne nuk e bëjmë këtë. Secili mban përgjegjësi para ligjit, të gjithë, secili mban përgjegjësi para fytyrës se vet dhe para elektoratit të vetë”, tha Spiropali.







