Kryeministri Edi Rama, në një takim me biznesin disa muaj më parë, tha publikisht se “inspektorët e tatimeve na turpërojnë” dhe se në të ardhmen nuk do të ketë më inspektorë në terren, por kontroll me inteligjencë artificiale. Ai i bëri thirrje bizneseve të mos heshtin përballë abuzimeve, por t’i denoncojnë. Por ironikisht, një nga inspektorët më të denoncuar në emailin personal të kryeministrit, vazhdon të jetë në detyrë, i paprekur, dhe i padëmtuar nga “plani i paqes fiskale”.
Ky është Elton Karapici, i njohur nga bizneset VIP si “gjoba me këmbë”, i akuzuar për një dekadë për zhvatje të strukturuar në emër të partisë dhe pushtetit. Sipas shumë denoncimeve, Karapici ka ndërtuar një sistem ryshfeti që lëviz nga 10 mijë deri në 50 mijë euro për çdo kontroll të biznesit të madh. Kontrolli, nëse nuk paguan, del gjithmonë me “gjetje”. Nëse paguan, rezultati zhduket bashkë me dosjen.
Në vend që të shkarkohet apo hetohet, Karapici shpërblehet. Rrethi i tij i mbështetjes është i fortë. Figura të “padukshme” të qeverisë i japin dorë të lirë për të terrorizuar ekonominë dhe për të marrë pjesën e tyre. Madje, sipas burimeve nga brenda administratës, Karapici është kthyer në një milioner të heshtur, me pasuri të patundshme të regjistruara nën emra të tjerë, por që qarkullojnë nëpër Elbasan dhe Tiranë si “malli i Eltonit”.
Elton Karapici, prej afro 10 vitesh, shërben në Drejtorinë e Tatimeve për Bizneset VIP. Në këtë dekadë, ai ka ushtruar qindra kontrolle, duke u bërë makthi i çdo sipërmarrësi që nuk është i lidhur me pushtetin. Nëse e shikon në derë, e di që fatura s’është për shtetin, por për xhepin e tij.
Për më tepër, lidhjet e tij familjare e bëjnë më të paprekshëm: bashkëshortja Adela Shera, ish-zv.ministre e Ekonomisë, është pedagoge në Fakultetin Ekonomik; babai i saj, Sabri Shera, ndërtues i njohur për mashtrimet me apartamente, ndodhet aktualisht në burg pas një hetimi për shitje të njëjtës banesë tetë herë – përmes firmës së përbashkët me dhëndrin.
Por Karapici s’është i vetëm. Mbi të qëndron Ilir Binaj, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, për të cilin burime të brendshme tregojnë se është ortak dhe mik i ngushtë me Ministrin e Financave, Petrit Malaj, në biznesin e hartimit të bilanceve. Ilir Binaj, i biri i kontabilistit të njohur Agim Binaj – i cili vite më parë i dërgonte letra Edi Ramës për skemat korruptive në Tatime – sot drejton një administratë të mbushur me grabitqarë, ku inspektori Karapici është vetëm maja e ajsbergut.
Burimet në administratë tregojnë për një skemë të organizuar, ku shuma të majme të ryshfetit qarkullojnë nga poshtë lart. Për çdo “gjobë”, ka një përqindje për inspektorin, një përqindje për drejtorin, dhe ndoshta edhe më lart. Milionat e Karapicit nuk janë pasuri nga rroga e një inspektori, por fryt i një sistemi të rrënjosur që nuk është ndalur as në fushatë, as në kohë pandemie.
Edhe lidhjet me mikrokreditë, nuk mungojnë. Djali i xhaxhait të tij, Endri Karapici, është drejtues i lartë i “Kredo Financë”, kompani e akuzuar publikisht për mashtrime sistematike ndaj qytetarëve shqiptarë, në bashkëpunim me firma të tjera të mikrokreditimit si IuteCredit.
Edi Rama ka të drejtë kur thotë se inspektorët si Karapici “turpërojnë shtetin”. Por çështja është: pse nuk bëhet asgjë për t’i ndalur?
Pse një njeri i denoncuar me dhjetëra herë, vazhdon të jetë në krye të operacioneve të tatimeve ndaj bizneseve më të mëdha në vend?
Nëse Rama do të jetë i sinqertë me reformën në administratë, Elton Karapici është një test real: ose arrestohet dhe hetohet me seriozitet, ose mbetet aty si simbol i vjetër i një shteti që nuk reagon, që nuk ndryshon dhe që nuk ka ndërmend të ndëshkojë grabitqarët e tij.
U përdor shteti në zgjedhje! Në 12 vite parlamenti nuk realizoi dot një reformë zgjedhore…
Ben Blushi Isha i ftuar në Gramsh në një takim me lexues. Provincat shqiptare janë…
Fatos Lubonja Skena e përgjunjes së kryeministrit shqiptar Edi Rama në tapetin e kuq, kur…
Nuk ka përsëritje të zgjedhjeve Kolegji Zgjedhor rrëzon PD-në edhe për Qarkun e Korçës: Nuk…
Mario Bacaj, një 28 vjeçar shqiptar që jetonte në Australi, humbi jetën tragjikisht tre ditë…
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sot, më…