Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako i jep para zgjedhjeve 350 milionë lekë Shpëtim Varakut, një biznesmenët që ka qenë i lidhur me klanin e Vangjush Dakos. Kjo është blerje asfalti që duhet për të mashtruar qytetarët e zonave të ndryshme për të dhënë votën. Porosia është kryer nga drejtori i Ndërmarrjes Rruga Durrës, Alion Hysko.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Blerje asfalto-beton, viti 2025” me fondin limit 34 999 970,00 lekë. Për shkak të shkeljeve, Open Data Albania e ka vlerësuar procedurën me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit. “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, ky është përshkrimi bërë për procedurën e prokurimit.
Fiton kompania me ofertën më të lartë!
Tenderi është hapur më 13 mars 2025, ndërsa data e fundit për dorëzimin e dokumenteve ishte caktuar më 14 prill 2025. Në tender kanë marrë pjesë 3 operatorë ekonomik, por paracaktimi i fituesit nuk lë vend për konkurrim. Megjithëse 2 ofertat e tjera ishin më të ulëta, tenderi i është dhënë Shpëtim Varakut, pronarit të kompanisë “VARAKU.E” shpk.
Konkretisht kompania “KUPA” shpk ka ofruar ta bëjë furnizimin me asfalt me 27.600.500 lekë pa tvsh. Ndërsa “RRUGA URA ASFALTIM NR.2 ELBASAN” shpk propozonte kontratën me vlerë 30.722.800 leke pa tvsh.
Megjithatë, komisioni i Alion Hyskës i ka skualifikuar dy kompanitë e tjera për t’i hapur rrugë kompanisë “VARAKU E” shpk që kishte ofertën më të shtrenjtë: 32.543.400 leke pa tvsh. Për lëvrimin e materialit është vënë një afat 7 muaj, por është e qartë se i gjithë asfalt do të shpenzohet këto ditë deri në mbarim të fushatës.
Bëhet fjalë për 1800 ton asfaltobeton binder, 1302 ton asfaltobeton tapet dhe 13 300 kg Bitum M-3 leng. Që parashikohen me fondin limit. Ndërkohë nuk tregohet se cilat rrugë do të asfaltohen.
Biznesmeni i tenderave të korruptuar që mashtron me dokumente false
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar në vitin 2021 një sërë shkeljesh në procedurat e prokurimit për rikonstruksionin e shkollës “14 Nëntori” në Durrës.
Në raportin e auditimit thuhet se prokurimi duhet të ishte anuluar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave për shkak të shkeljeve sepse në garë kanë marrë pjesë 7 kompani, por 6 janë skualifikuar për mospërmbushje kriteresh.
Por sipas KLSH, kompania e përzgjedhur duhej skualifikuar duke nënvizuar se bashkimi i operatorëve ka bërë deklarim të rremë të makinerive dhe stafit që disponojnë për kryerjen e punimeve. Bëhet fjalë për kompaninë “Rajli Ndërtim SHPK” dhe “Varaku SHPK”, të cilat sipas të dhënave në QKB janë në pronësi të Enkelejda Gojashit, Lediana Matës dhe Shpëtim Varakut.
Kompanitë në fjalë kanë lidhur dhe dy kontrata të tjera me Bashkinë Durrës për të njëjtën periudhë dhe kanë paraqitur të njëjtat makineri dhe fuqi punëtore. Po ashtu, dokumentet e tenderit janë kryer pa numër protokolli, kanë parregullsi në hartim e po ashtu, kontrata e lidhur me afat 170 ditë dhe është shtyrë me 60 ditë, pasi subjektet kanë paraqitur faturat me vonesë.
Më tej në raportin e KLSH, thuhet se të gjitha punimet janë kryer vetëm nga njëri prej operatorëve ekonomik çka vërteton se kontrata mes tyre ka qenë vetëm për plotësimin e kritereve të vendosura në DST, duke dëmtuar konkurrencën e drejtë.
Shpëtim Varaku mori hov pasi i rregulloi marrëdhëniet me ish-kryetarin e bashkisë Vangjush Dako, që u dënua për korrupsion. Më 26 maj të 2017, Bashkia e Durrësit ka shpallur tenderin për rikonstruksionin e rrugës, lagjja kuksiane në Rashbull, me fond limit 4 166 000 lekë.
Më 6 qershor, Bashkia e Durrësit ka shpallur fituesin e tenderit RAJLI NDERTIM SHPK dhe VARAKU SHPK, duke skualifikuar tre kompanitë e tjera. Komisioni i vlerësimit të ofertave i ka skualifikuar kompanitë e tjera në kundërshtim me ligjin. Shpëtim Varaku, në të njëjtën formë rezulton se ka fituar edhe tendera të tjerë nga Bashkia e Durrësit, si rikonstruksionin e rrugës Aurora Plazh në Durrës, me fond limit 9 982 000 lekë. Varaku ka fituar edhe tenderat për rikonstruksionin e dy rrugëve “Polumbari” dhe
“Durrësi në shekuj”. Tenderat janë zhvilluar në të njëjtën datë. Varaku dhe Çaushi shpk kanë paraqitur të njëjtat makineri për kryerjen e punimeve, në dy objekte të ndryshme, me të njëjtin afat kohor, grafik punimesh, duke moszbatuar VKM nr. 1, datë 10.01.07, “Për rregullat e
prokurimit publik”, i ndryshuar Kreu V, “Zhvillimi i procedurave”, pika 4, “Hapja dhe vlerësimi i ofertave”, pika “ç”. Shpëtim Varaku ka fituar më të njëjtën praktikë edhe tenderat për asfaltimin e rrugës së Kënetës.
Qershia mbi tortë është tenderi 2.3 miliardë lekë që i dha Erion Veliaj më 31 tetor 2024 Shpëtim Varakut në bashkëpunim me Artur Caushajn. Bëhet fjalë për prokurimin me objekt ‘Rehabilitimi i infrastrukturës rrugore në njësinë Administrative Vaqarr-Pezë-Ndroq’. Duam, të sqarojmë se nuk bëhet fjalë për të gjitha rrugët në këto zona, por për 4 rrugica lokale, përfshirë rrugën e burgut të Vaqarrit, të total gjatësia 4.5 km.
Lai Eri i eliminoi nga gara 26 kompanitrë e tjera dhe ia dha kontratën Shpëtim Varakut, duke merituar “Flamurin e kuq” për tenderin. Nga verifikimet që kemi bërë në terren, puna në këtë projekt nuk ka mbaruar dhe në objekt nuk shihen punonjës. Për më tepër, Shpëtim Varaku njihet në Durrës për punimet skandaloze. Këto janë pamjet e një rruge të shtruar me asfalt në Durrës nga kompania “Varaku E”.