Emrat dhe itinerari i drogës që vinte në Shqipëri

Detaje të reja janë zbardhur nga megaoperacioni ndërkombëtar, i koduar “Ura”, i cili është zhvilluar që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, në një bashkëpunim të gjerë mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane, duke rezultuar në 52 urdhër-arreste dhe sekuestrime pasurie me vlerë miliona euro.

Hetimet kanë zbuluar një rrjet të gjerë kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge (kokainë dhe heroinë), pastrim parash dhe shpërdorim detyre, ku të dyshuarit përfshijnë biznesmenë, zyrtarë publikë, avokatë, policë dhe individë të lidhur me botën e krimit.

Mes të arrestuarve në Shqipëri është edhe administratori i një kompanie udhëtimi, Ligor Çombashi, Armand Tragaj avokat në Durrës dhe ish-sekretar i Këshillit Bashkiak në këtë qytet, një ish punonjës policie si dhe për një person të identifikuar si Orges Molla, dhe Ervis Doçi, i njohur në Durrës si Visi i Pojës, një personazh me “emër” për drejtësinë shqiptare.

Grupi vepronte në mënyrë të organizuar, duke trafikuar sasi të mëdha narkotikësh midis Ballkanit, Evropës Veriore dhe rajonit italian të Puglias. Nga hetimet e zhvilluara në të dy vendet, janë sekuestruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë miliona euro, përfshirë prona, automjete luksoze dhe llogari bankare.

Ky operacion është pjesë e një projekti më të gjerë hetimor i ndërmarrë nga DDA e Barit dhe SPAK në Tiranë, me synim çmontimin e rrjeteve kriminale shqiptare që kontrollojnë trafikun e narkotikëve drejt Italisë dhe vendeve të tjera europiane. Organizatat shqiptare, sipas autoriteteve italiane, kanë luajtur një rol kyç në zinxhirin ndërkombëtar të drogës, duke garantuar shpërndarjen dhe pastrimin e të ardhurave përmes aktiviteteve legale dhe struktura financiare të ndërlikuara.

Autoritetet paralajmërojnë se hetimet do të vijojnë dhe priten masa të tjera ndëshkuese ndaj personave të përfshirë.

Masat e sigurisë “arrest me burg” janë lëshuar për: Adi Çoba; Gertin Aliu; Ervis Deti; Ervis Doçi; Agron Ganaj; Nuredin Kiptiu; Arsen Leskaj; Erigels Presi; Leonard Shakaj; Zenit Shtraza; Genci Telollari; Redi Tusha; Ekil Nderjaku dhe Indrit Tafili.

Sakaq, është zbardhur edhe itinerari që përdorej për shpërndarjen e drogës. Mësohet se lënda narkotike kokainë fillimisht nisej nga Ekuadori drejt portit të Roterdamit në Holandë dhe më pas në Bari të Italisë. Nga aty, shpërndahej në qytete të tjera të Italisë, por jo vetëm pasi dërgohej edhe në vende të tjera të Bashkimit Europian.

Ndërkohë, lënda narkotike heroinë dërgohej nga Shqipëria në Itali përmes autobusëve të linjave të Barit dhe jo vetëm, të cilët lëviznin në det përmes trageteve.

Siç shihet edhe në pamjet e mëposhtme të publikuara nga autoritetet italiane droga e presuar mbante logo të ndryshme si “Audi”, “Paris” , “Leon”. Teksa, kontrabandistët mbanin me data, kg dhe euro çdo transport që ata kryenin.

Publikuar nga Publik Media