Erdogan flet pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit: Opozitë hipokrite, nuk kemi kohë për shfaqjet e tyre

 

Stamboll, 20 Mars 2025 – Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka reaguar për herë të parë pas arrestimit të kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, një prej figurave më të rëndësishme të opozitës dhe rivalit të tij kryesor.

Në një deklaratë të fortë, Erdogan e cilësoi reagimin e opozitës ndaj arrestimit si “kulmin e hipokrizisë”.

“Përpjekjet e opozitës për të portretizuar konfliktet e saj të brendshme apo problemet e saj me ligjin si çështjen më të rëndësishme të vendit janë kulmi i hipokrizisë,” tha Erdogan, duke mohuar çdo motiv politik pas arrestimit të Imamoglut.

Kryebashkiaku i Stambollit u arrestua të mërkurën me akuza për korrupsion dhe ndihmë ndaj terrorizmit, gjë që shkaktoi protesta të forta në të gjithë Turqinë. Opozita e ka cilësuar arrestimin si një akt politik për të penguar Imamoglun të sfidojë Erdoganin në zgjedhjet e ardhshme.

Por presidenti turk u tregua i prerë në përgjigjen e tij:

“Nuk kemi kohë për shfaqje opozitare, as në nivel personal, as në nivel partiak apo aleance.”

Gjithashtu, ai akuzoi opozitën dhe mediat se nuk kanë dhënë përgjigje për akuzat e ngritura nga drejtësia, duke përmendur jo vetëm çështjen e korrupsionit, por edhe skandalin e diplomës së Imamoglut. Një ditë para arrestimit, Universiteti i Stambollit anuloi certifikatën e tij akademike, duke e cilësuar atë të falsifikuar.

Arrestimi i Imamoglut ka rritur tensionet politike në Turqi, me opozitën që flet për një përpjekje të qartë të Erdoganit për të eliminuar rivalët e tij kryesorë para zgjedhjeve. Protestat vijojnë në disa qytete, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësim për situatën.

Publikuar nga Publik Media