Avokatët ndërkombëtarë reagojnë pas vendimit të Gjykatës së Lartë
Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë që la në fuqi masën “arrest me burg” për Erion Veliajn, avokatët e tij ndërkombëtarë kanë reaguar duke ngritur shqetësime serioze për shkelje të të drejtave të njeriut dhe të procesit të rregullt ligjor.
Dy firma të njohura ligjore, Kasowitz LLP dhe Mishcon de Reya, deklaruan se Veliaj mbahet në paraburgim prej pesë muajsh, pa një akuzë konkrete dhe pa shqyrtim të masave alternative, çka sipas tyre bie në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Ata paralajmërojnë se do të ndjekin çështjen në instanca ndërkombëtare.
Nga qelia në IEVP Durrës, Veliaj reagoi përmes një deklarate, duke e cilësuar vendimin “jashtëzakonisht zhgënjyes” dhe duke nënvizuar se do të ndjekë çdo rrugë ligjore për të rifilluar detyrën.
“Ndodhem në izolim, i privuar nga kontaktet me avokatët e mi ndërkombëtarë. Por nuk dorëzohem,” deklaroi ai.
Deklarata e plotë:
DEKLARATË E AVOKATËVE NDËRKOMBËTARË TË KRYETARIT TË BASHKISË SË TIRANËS, ERION VELIAJ, LIDHUR ME VENDIMIN E GJYKATËS SË LARTË
9 Korrik 2025, Tiranë: Dje, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë vendosi që Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës, do të qëndrojë në masën arrest me burg në IEVP Durrës, Shqipëri. Dëgjesa me dyer të mbyllura u mbajt në 8 Korrik 2025, në orën 12:00, pas shqyrtimit të dokumentave. Kryebashkiaku Veliaj hedh poshtë me vendosmëri çdo pretendim.
Pas rreth 5 muajsh qëndrimi në paraburgim dhe një hetimi thuajse dy vjeçar nga Prokuroria e Posaçme e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (“SPAK”), Kryebashkiakut Veliaj i mohohet ende aksesi me avokatët e tij ndërkombëtarë. Mbajtja në paraburgim e Z. Veliaj ka sjellë shumë shqetësime për familjen dhe miqtë e tij.
Burgosja pa akuzë e Z. Veliaj është miratuar më herët nga gjykatat pa kryer një vlerësim kuptimplotë nëse arrestimi i tij është i nevojshëm, proporcional apo i arsyeshëm, dhe pa vlerësimin e duhur të masave alternative ndaluese.
Daniel Fetterman, një ish prokuror federal në Shtetet e Bashkuara dhe partner i Kasowitz LLP, një nga firmat ndërkombëtare e cila së fundmi ka publikuar edhe një raport të përbashkët hetimor lidhur me burgosjen e paligjshme të Kryebashkiakut Veliaj, tha:
“Mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj – pa akuzë dhe kur ka mundësi për masa më të qarta, proporcionale dhe të arsyeshme alternative ndalimi – është në kundërshtim me parimet e vendosura për një proces të rregullt ligjor, dhe në papajtueshmëri me sundimin e ligjit.”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha: “Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë është jashtëzakonisht zhgënjyes.
Sot, unë duhet të isha një hap më pranë kthimit në shtëpi, pranë familjes sime. Por, në vend të kësaj, ndodhem i burgosur dhe në izolim në IEVP Durrës, në pamundësi për t’u takuar me këshilluesit e mi ligjorë ndërkombëtarë apo për të pasur informacionin e nevojshëm për të mbrojtur veten.
Unë do të vijoj të ndjek të gjitha rrugët ligjore në mënyrë që t’i shërbej përsëri Tiranës”.
Ben Brandon, Partner, Mishcon de Reya shtoi:
“Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (“ECHR”) i ndalon burgosjet arbitrare, dhe garanton që arrestimi duhet të jetë një masë e nevojshme, proporcionale dhe e arsyeshme. Ne po presim vendimin e plotë të Gjykatës së Lartë, por jemi duke marrë në konsideratë të gjitha masat e mundshme ligjore. Ne mbetemi jashtëzakonisht të shqetësuar që mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj bie në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.”
Raporti i plotë për arrestimin e padrejtë të Kryebashkiakut Veliaj mund të gjendet këtu. Kasoëitz dhe Mishcon de Reya do të vazhdojnë të ndjekin fuqishëm të gjitha mjetet e mundshme ligjore ndërkombëtare në emër të Kryebashkiakut Veliaj.