Ermonela që kërkon shalë, vendos për jetën tonë, jo vajza e Klanit me bikini

 

Një pjesë e popullit tim të dashur ( domethënë pjesa e kulluar, që edhe kur lan rrushin a pjeshkën në dush mbyll sytë të mos e shohë nga turpi ) u zalis nga pamja në ekran të një çupe me mantel të verdhë e rroba nën to.

Ose më shkoqur: U pataksën që kjo punë ndodhi në televizor.

Po – do më thuash ti – kjo punë u bë tre dekada që ndodh në televizor. A nuk rreshtohen me breçka e sytjenka e pa gjë tjetër fare supeve çupkat nëpër spektaklet e Miss-eve? Nuk na i vret sytë kjo! Madje e blejmë biletën sa frëngu pulën për ta parë në sallë…
A nuk i keni këngëtare, velina, balerina, artiste përnatë nëpër ekrane?
Duro edhe nja 2 – 3 javë pa do shohësh byçët e njoma të çupave adoleshente që dalin nën pantallonkat shumë të shkurtra, pastaj vjen kërthiza me gjithë bark e një rrip te cicat. Goca jote ende fëmijë! Apo mbesa.
Pra e lexoj edhe një herë se ç’e tronditi këtë “konservatorizmin” tonë…
AaaAa! G A Z E T A R IiiI AAA!

“Nuk është gazetari kjo”!

Domethënë: të të tregojë qeveria se kur MUND të bësh plazh dhe kur NUK, se NUK do të shtrihesh dot në rërë afër gruas me të cilën shtrihesh përnatë në të njejtin shtrat, se si do futesh në det e sa larg do ti qëndroshë tjetri , përfshi edhe gjithë drejtimin të jetëve tuaja që ky rregjim ka marrë në dorë, për këtë i ke vënë 💩 gojës?

Ndërsa kundër “plazhit harram” të simbolizuar perfekt nga vajza që “s’ka ku përplaset” dhe përfundon nën dritaren e Gramozit dhe Edit u rebeluat?

Bravo për shpirtin e protestës! Por kjo vajza me bikini nuk ka lidhje me jetën as tim as tënden. Po deshe e ndërron stacionin dhe del Ermonela që kërkon shalë. Asaj si t’i bëj unë!! Se ajo po që ka jetën time dhe tënden në dorë. AJO VOTON ÇKA I VE PARA KRYEMINISTRI!!

Jam i sigurt që Aldon Lipe duhet të jetë duke bërë kokrrën e gallatës me gjithë të lënduarit prej çupës me breçka nën dritaren e Enverit ku sot rri Gramozi! Përveçse gazetari e angazhuar dhe gjetje brilante simbolike anti marrëzisë së shtrëngimeve ajo që bëri dje është edhe një prtotestë e mençur dhe e sukseshme ndaj këtij rregjimi.

Sa për merakun e përdorimit të femrave, bëni mirë të shikoni pragun tuaj! Nuk ka lypur ndihmë kjo vajza me bikini në derë të Komitetit Qëndror për ti dalë zot njeri. Siç nuk kanë lypur ndihmë as ato zonjat që dalin përditë në ekran në Këndin e Kuq të pandemisë, ministresha që sipas meje as si sekretare tamam nuk i përdor Rama, deputete dhe gazetare që për një rrogë a karierë të shesin TY përditë e përnatë sapunin për djath.

Publikuar nga Publik Media