Publikuar më: 13 maj 2025
Zgjedhjet e fundit treguan një realitet tronditës për demokracinë shqiptare: vota vendimtare nuk ishte e të rinjve apo e diasporës, por e një shoqërie në plakje, me një sistem zgjedhor të shkëputur nga realiteti demografik.
Të dhënat zyrtare tregojnë se gati gjysma e elektoratit shqiptar (47,7 %) jeton jashtë vendit, duke krijuar një hendek të frikshëm mes listave formale të votuesve dhe popullsisë që realisht merr pjesë në jetën sociale e politike të vendit. Nga njëra anë, Regjistri i Gjendjes Civile numëron 3,71 milion shtetas me të drejtë vote, ndërsa Censi i vitit 2023 tregon se vetëm 1,94 milion shqiptarë rezidentë mbi 18 vjeç jetojnë aktualisht në vend. Diferenca është 1,77 milion vetë, një numër që tregon për një diasporë të madhe dhe një sistem votimi që injoron këtë realitet.
Ky hendek përkthehet në pasoja të drejtpërdrejta për procesin elektoral: listat fryhen, shpenzimet rriten, dhe pjesëmarrja bie. Edhe pse në lista ishin mbi 3.7 milion votues, pjesëmarrja faktike ishte vetëm 42.2 %, pra rreth 1.56 milion zgjedhës. Nëse i referohemi vetëm popullsisë rezidente, pjesëmarrja ishte 80.6 %, një normë e lartë, por në raport me listat zyrtare ajo mbetet e ulët, duke krijuar një iluzion për një pjesëmarrje të dobët dhe një proces të deformuar.
Shteti printon fletë votimi, hap qendra votimi dhe shpenzon fonde për 1,8 milion qytetarë që nuk ndodhen fizikisht në Shqipëri. Kjo do të thotë që miliona euro shpenzohen për një proces formal, i cili nuk pasqyron realitetin në terren. Votuesit fiktivë nuk janë një trill teorik – ata janë pjesë e një sistemi që duhet reformuar thellësisht.
Një në tre votues është mbi 60 vjeç
Të dhënat nga Censi 2023 tregojnë një tjetër problem strukturor: 32.4 % e popullsisë me të drejtë vote është mbi 60 vjeç. Kjo do të thotë se më shumë se një në tre votues aktivë është pensionist. Në krahasim, grupmosha 18–29 vjeç përbën vetëm 17.8 % të elektoratit, ndërsa mosha 30–60 vjeç mbulon 49 %.
Në praktikë, kjo do të thotë që çdo votë e një 61-vjeçari ka gati 3,5 herë më shumë peshë politike se ajo e një 22-vjeçari. Në kushte të tilla, nuk është çudi që programet elektorale të ngjasojnë më shumë me skema “pension + bonus” sesa me projekte për të ardhmen, si “vizioni 2035”.
Rinia jashtë loje
Të rinjtë jo vetëm që janë më pak numerikisht, por edhe më pak të interesuar për politikën. Anketat e vitit të kaluar treguan se 54% e të rinjve nuk janë të përfshirë politikisht, dhe në zgjedhjet e kaluara, vetëm 35% e tyre morën pjesë në votime. Në terma praktikë, kjo do të thotë që vota e të rinjve përbënte rreth 6% të totalit të votave të këtij viti – një shifër tepër e ulët për të ndikuar realisht në drejtimin e vendit.
Për rrjedhojë, partitë politike nuk kanë asnjë nxitje për të investuar në politika për të rinjtë. Çdo lek i shpenzuar për pensionistët është më i efektshëm politikisht se një lek për të rinjtë. Prandaj fushatat dhe prioritetet e qeverive të ardhshme pritet të dominohen nga temat e pensioneve, kujdesit shëndetësor dhe asistencës sociale për moshën e tretë.
Diaspora faktori që po rritet
Këtë vit, për herë të parë, rreth 191 mijë shqiptarë në emigracion votuan me postë, nga 245 mijë të regjistruar. Ky është një hap domethënës, por ende shumë i kufizuar. Nëse procesi i regjistrimit të diasporës zgjerohet dhe mekanizmat e votimit bëhen më efektivë, pesha e të rinjve mund të rritet, duke i dhënë një drejtim të ri politikës shqiptare.
Megjithatë, pa një regjistër të përditësuar zgjedhor dhe pa reforma për të përfshirë realisht diasporën, sistemi aktual do të vazhdojë të prodhojë mashtrime aritmetike – ku votuesit fiktivë fryjnë buxhetet, deformojnë politikat dhe minojnë legjitimitetin e zgjedhjeve.
Në fund të ditës, Shqipëria voton si një vend i plakur, i boshatisur dhe i keqmenaxhuar. Dhe derisa të përballemi me të vërtetat demografike, fati i zgjedhjeve do të mbetet në duart e pensionistëve.