Arrestohet 23-vjeçari në Fier , sekustrohet arma e modifikuar
FIER – Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmjen e djeshme fshatin Mbrostar Ura në Fier, ku një konflikt familjar degjeneroi në përdorim armësh. Një 23-vjeçar, Jashar Zyka, ka plagosur me armë të atin e tij, Nexhmedin Zyka, 58 vjeç.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, shërbimet e Komisariatit të Fierit u njoftuan rreth mesnatës për një incident të ndodhur në banesën e familjes Zyka. Pas ndërhyrjes së menjëhershme, uniformat blu bënë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar, Jashar Zyka, ndërsa në vendngjarje u sekuestrua një armë e modifikuar, e ngjashme me ato sportive.
I moshuari është qëlluar në këmbë dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
“Plagosi babanë e tij, me një armë të modifikuar, pas një konflikti në familje, kapet 23-vjeçari. Sekuestrohet arma e modifikuar si armë sportive”, thuhet në deklaratën e policisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për vijimin e hetimeve. Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.