CEO i kompanisë “Bankers”, Hong Ping Xiao, dhe ish-CEO Leonidha Çobaj, kanë mbërritur sot në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier, ku u janë komunikuar masat e sigurisë të caktuara nga Prokuroria dhe Gjykata e Fierit.
Të dy drejtuesit u sollën në ambientet e gjykatës me një furgon të policisë, ndërsa ndaj tyre rëndojnë akuza të rënda për evazion fiskal, që sipas hetimeve paraprake, i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm ekonomik prej mbi 5 miliardë euro.
Gjykata pritet të vendosë sot për masat e sigurisë që do të aplikohen ndaj personave të ndaluar, ndërkohë hetimet për çështjen vijojnë.
Me vendim të Gjykatës së Fierit u lëshuan 14 urdhër arreste, 9 prej tyre të ekzekutuar dhe 5 kinezë ende në kërkim. Prokuroria e Fierit ngriti 5 akuza në total, “Krijim i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në”, “Fshehje e të ardhurave”, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Shpërdorim detyre” dhe “Moskryerje e detyrave nga organet tatimore”, duke argumentuar se ka grumbulluar prova të mjaftueshme.
Aksioni në “Bankers Petroleum”, erdhi pasi kompania, e cila prej më shumë se 20 vitesh nxjerr naftë në Patos-Marinzë, sipas prokurorisë së Fierit ka shmangur gjatë gjithë ekzistencës së saj taksat në vend. “Bankers Petroleum” krijoi skema mashtrimi për të fshehur të ardhurat, duke deklaruar 20 vite rresht se dilte me humbje, në total 11.7 miliardë lekë, ndërsa gjatë kësaj kohe eksportoi apo shiti 532 miliardë lekë naftë. Në këtë mënyrë për 20 vite ka shmangur detyrimet tatime, madje përfitonte dhe rimbursim TVSH-je.