Duket se nga fjalët, një pjesë e vendeve evropiane, po kalojnë te veprat në lidhje me ashpërsimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
Ministria Finlandeze e Mbrojtjes ka njoftuar se do ta furnizojë Ukrainën me municione në vlerë prej 90 milionë eurosh, duke përdorur të ardhurat nga asetet financiare të ngrira ruse.
Sipas Reuters, BE-ja ka vlerësuar se rreth 210 miliardë euro nga gjithsej 300 miliardë dollarë në asete ruse të ngrira ndodhen brenda bllokut prej 27 vendesh anëtare, kryesisht në formën e obligacioneve shtetërore që banka qendrore e Rusisë i kishte ruajtur si rezerva.
Kujtojmë se Komisioni Evropian vendosi vitin e kaluar që të ardhurat nga këto asete të mund të përdoren për të mbështetur ushtarakisht Kievin përmes një fondi të drejtuar nga BE.