Një 48-vjeçar me precedentë të shumtë penalë është shpallur në kërkim nga policia e Sarandës, pasi dyshohet se ka grabitur me thikë një dyqan dhe ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me shitësen.
Ngjarja ndodhi më 2 maj, kur Jorgo Kumaraku, i maskuar me maskë kirurgjikale dhe kapele, hyri në një dyqan në qytet dhe, nën kërcënimin e thikës, grabiti 60,000 lekë.
Gjatë përleshjes, shitësja mbeti e lënduar lehtë në dorë. Gjithashtu, dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj saj.
Burime nga policia bëjnë me dije se autori është identifikuar përmes kamerave të sigurisë në rrugët e qytetit dhe është konfirmuar nga viktima përmes një fotografie të treguar nga efektivët.
Kumaraku nuk është një emër i panjohur për autoritetet. Ai ka qenë më parë i arrestuar për një sërë veprash penale, përfshirë grabitje me armë lodër në kazino në Sarandë dhe Gjirokastër, vjedhje në hotele dhe kërcënim me thikë ndaj një të reje pranë një bankomati.
Aktualisht, policia po vijon kërkimet për kapjen e tij, ndërsa ndaj Kumarakut rëndojnë akuza të shumta për grabitje dhe dhunë me precedentë të përsëritur.