Llogaria zyrtare e presidentit ka shpërndarë fotot nga “Situation Room”: Trump, me kapelën “Make America Great Again” në kokë, ishte i rrethuar nga zëvendëspresidenti Vance, shefi i Pentagonit, Sekretari i Shtetit dhe këshilltarët kryesorë.
Pesë presidentë janë përballur me këtë vendim – nëse do të përdornin apo jo forcën ushtarake kundër Iranit: Bill Clinton, George W. Bush, Barack Obama, Joe Biden dhe Donald Trump. Donald Trump është i vetmi president që në fund ka vendosur të ndërmarrë një veprim ushtarak, dhe kjo – sido që të shkojnë gjërat në ditët në vijim – do të jetë pjesë thelbësore e trashëgimisë së tij politike.
Imazhet e shkrepura në “Situation Room” gjatë sulmit ndaj Iranit, ashtu si fotot e Barack Obamës në maj 2011 kur ndoqi sulmin ndaj kompleksit të Osama bin Ladenit, apo si George W. Bush që në 2003 dha urdhrin për fillimin e luftës në Irak, do të mbeten në histori.
Ndryshe nga hera kur Trump urdhëroi sulmin për të vrarë Qassem Soleimanin, dorën e djathtë të udhëheqësit suprem Ali Khamenei, këtë herë presidenti mbante kapelën e kuqe “Make America Great Again”.
Fotot, të publikuara nga Shtëpia e Bardhë, ofrojnë një mundësi të rrallë për të hyrë në atë moment në dhomën e vendimmarrjes – të njohur edhe si “salla JFK”, sepse u ndërtua gjatë presidencës së John F. Kennedy.
Në një nga fotot, Donald Trump, i rrethuar nga ministrat e tij, shikon i patrazuar përpara, duke ndjekur në një ekran misionin kundër tri objekteve iraniane të pasurimit të uraniumit. Trump nuk është gjithnjë ulur: në një tjetër foto ai është në këmbë, pranë shefit të shtabit, Dan Caine, i cili po i thotë diçka Susie Wiles-it, shefes së Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë.
Në tavolinë ka shishe uji të përgjysmuara, markues ngjyrash dhe një dosje me unaza përpara një gjenerali. Zëvendëspresidenti J.D. Vance dhe Sekretari i Shtetit Rubio janë ulur më afër Trumpit – ndoshta tregues i ndikimit të tyre; ndërkohë shefi i CIA-s John Ratcliffe shikon me duart e bashkuara përpara. Nuk shihet në foto drejtoresha e inteligjencës kombëtare Tulsi Gabbard – me të cilën ka pasur mosmarrëveshje për Iranin – ndërsa në sfond shfaqen zëvendësshefi i stafit Dan Scavino dhe avokati i Shtëpisë së Bardhë David Warrington, që ngrihet për t’i pëshpëritur diçka në vesh shefit të Pentagonit.
Dan “Razin” Caine, shefi i shtabit të forcave të armatosura – gjeneral në pension, ish-pilot i F-16, i emëruar nga Trump për këtë rol dhe që sot, së bashku me shefin e Pentagonit Pete Hegseth, do të shpjegojë në një konferencë për shtyp impaktin e sulmit – është, bashkë me presidentin, protagonisti i këtyre fotove: shihet duke u shpjeguar, madje edhe me gjeste, sulmin të pranishmëve. Trump e ka lavdëruar publikisht më pas, kur u tha amerikanëve në televizion se tani zgjedhja i takon Iranit – dhe nëse ai bën zgjedhjen e gabuar, SHBA do të vijojë të godasë.
Marrëdhënia e Trump me Caine nisi gjatë një udhëtimi në Irak më 2018. Siç ka treguar vetë Trumpi pak muaj më parë në konferencën e konservatorëve (CPAC), ai e kishte pyetur gjeneralin pse të gjithë i thoshin që duheshin edhe dy vite për ta përfunduar luftën kundër Shtetit Islamik. Caine i ishte përgjigjur se kjo mund të bëhej brenda një jave. “Ne i godasim vetëm nga një bazë e përkohshme në Siri”, i kishte thënë ai. “Por nëse ju jepni leje, mund t’i godasim nga prapa, anash, nga çdo drejtim, zoti President. Ata s’do ta dinë çfarë i ka goditur.” Trump e ka quajtur atë “një gjeneral të vërtetë, jo një gjeneral televiziv” – fjalë që tregojnë edhe mënyrën se si presidenti më televiziv në historinë amerikane e sheh forcën ushtarake.
Nuk ishte kjo ajo që shpresonin disa nga mbështetësit e linjës MAGA, të cilët prej ditësh po kundërshtonin që ndërhyrja në Iran nuk përputhej me doktrinën “America First” të Trump. Por kapelja MAGA e presidentit në “Situation Room” përforcon një mesazh që ai e kishte dhënë edhe më herët në një intervistë për The Atlantic: “America First” do të thotë çfarëdo që unë them.
“Duke qenë se unë e kam shpikur ‘America First’, dhe duke qenë se ky term nuk përdorej fare para meje, unë vendos se çfarë do të thotë. Për ata që thonë se duan paqe, ju them: nuk mund të ketë paqe nëse Irani ka një armë bërthamore. Për ata që s’duan të përzihen, ju them: kjo nuk është paqe.”
Edhe pjesa më e madhe e atyre që nuk duan ndërhyrje u bashkua me presidentin pas sulmit, duke theksuar se bëhet fjalë për një operacion të kufizuar dhe të shënjestruar. “Irani nuk i la zgjedhje presidentit Trump”, tha aktivisti Charlie Kirk, një nga zërat më të rinj të lëvizjes MAGA dhe kritik i krahut luftënxitës republikan. Ish-kongresmeni Matt Gaetz – që Trump kishte propozuar për ministër të Drejtësisë – e krahasoi sulmin me atë ndaj Soleimanit: “Nuk është luftë për ndryshim regjimi. Trump është ndërmjetës paqeje!”
Në Kongres, ndër republikanët më entuziastë ishte senatori Lindsay Graham nga Karolina e Jugut, një “luftënxitës”: “Ishte zgjedhja e duhur, regjimi e meritonte.” Edhe senatorë që më parë ishin skeptikë për goditjen e Fordow, si Tim Sheehy nga Montana, e përgëzuan presidentin: “Mori vendimin e duhur. Dhe për kritikët them: kjo nuk është nisja e një lufte, është fundi i saj. Irani është në luftë me SHBA që prej 46 vitesh. Populli iranian duhet të ngrihet dhe t’i japë fund këtij regjimi vrasës.”
Steve Bannon drejtoi gjithë natën një transmetim live në programin e tij War Room, ku foli për rrezikun e një Lufte të Tretë Botërore. “Është veprimi më i madh dhe më i guximshëm i mandatit të parë apo të dytë të Trumpit,” tha ai – por i sugjeroi presidentit të mos lejojë që ta tërheqin luftënxitësit “në një drejtim që mund të përmbysë gjithë presidencën e tij” dhe qëllimet e America First. “Është një zgjedhje në stilin e Abraham Lincolnit – sepse tani je pjesë e luftës. Edhe nëse thua që është e kufizuar dhe nuk do ndjekësh ndryshimin e regjimit, do jesh nën presion”.