Ish shoqëruesi i Saimir Tahirit, i akuzuar për grup kriminal! Trafikoi mbi 1 ton droge drejt Italisë
Personi i cili u arrestua në Francë në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted” është Paul Deda, ish shoqëruesi i ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Sipas policisë, i arrestuari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, për trafikimin e mbi 1 tonë kanabis nga Shqipëria në Itali.
“Në një veprim të koordinuar me Interpol Paris, është arrestuar në Francë shtetasi shqiptar P.D., 50 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, për trafikim të mbi 1 ton Cannabis.
Si rezultat i shkëmbimit në kohë reale të informacionit mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Interpol Tiranës me autoritetet franceze, P.D. u lokalizua dhe arrestua nga policia franceze, me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri”, thotë policia.
Kujtojmë që Gjykata e Shkallës së Parë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 50-vjeçarin, i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim parash, në kuadër të një organizate kriminale.
Hetimet tregojnë se Paul Deda në bashkëpunim me shtetas shqiptarë dhe italianë, ka tentuar të trafikojë drejt Italisë mbi 1016 kilogramë Cannabis Sativa të kultivuar në Shqipëri, përmes rrugës detare. Kjo sasi narkotikësh u sekuestrua nga Policia italiane në Bari, ku gjithashtu u arrestuan dy pjesëtarë të tjerë të organizatës kriminale.
Interpol Tirana vazhdon bashkëpunimin me autoritetet franceze për finalizimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.
Intetvista
Kujtojme qe sh-shoqëruesi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Paul (Agustin) Deda, në 2021 i ka dhene gazetares Klodiana Lala se do te kthehet ne Shqiperi per tu perballur me drejtesine.
Sa vite keni punuar me Saimir Tahirin?
Kam qenë pjesë e grupit të shoqërimit të Saimir Tahirit për 3 vite e gjysmë, bashkë me Hekuran Markun, të cilin e kam mik.
A e njihni shtetasin Eltjon Bregu, për të cilin SPAK thotë se ju keni bashkëpunuar për trafikimin e mbi 1 mijë kg hashash?
Eltjon Bregun e njoh si mashtruesin më të madh në Shqipëri, i cili ka përfituar jo vetëm në emrin tim, por edhe të shumë personave të tjerë. Kemi punuar me të në Kombinat. Unë nuk kam e shok dhe nuk kam pasur lidhje direkte me të, por di që më herët ka qenë në burg.
Po me shtetasit Ferhat Ajdini dhe Seferi a keni pasur njohje dhe kontakte, pasi ato janë dy skafistët që kanë dëshmuar kundër jush?
Nuk i njoh dhe as nuk e kam idenë kush janë ata. Ju takon atyre të sqarojnë pozicionin tim dhe të vërtetën. Nuk kam bërë asgjë dhe nuk jam përfshirë në aktivitet kriminal. U tërhoqa nga puna, për shkak të sulmeve që nisën ndaj meje. Unë jam demoralizuar edhe kur u akuzua Tahiri, u shkatërrova. Jam duke punuar në ndërtim jashtë vendit për të siguruar të ardhura për familjen time, pasi jam baba i një djali.
Si i cilësoni akuzat?
Janë akuza të pabaza. Jam i pastër dhe nuk kam bashkëpunuar kurrë me askënd për të trafikuar drogë. Na bënë neve më të fortë se Edi Rama dhe këto janë sulmet për të rënduar pozitën e Saimir Tahirit. Duke përmendur emrat tonë, po shmangin vëmendjen nga zyrtarë policie apo persona të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.
A do t’i dorëzoheni drejtësisë?
Do të dorëzohem të sqaroj pozicionin tim, sepse nuk kam asgjë për të fshehur dhe nuk kam frikë nga askush. Dua të jetoj i lirë në Shqipëri, ku kam kontribuar.