Frika e Ramës se nuk bën dot as 70 mandate!

Rama përballet me realitetin që s’e kapin sondazhet e paguara

Ka një linjë të qartë në rrjedhën e komunikimit të Edi Ramës për zgjedhjet e 11 Majit: një zbritje e pandalshme nga majat e delirit drejt një realiteti të cilin as vetë ai nuk mund ta shmangë më. Nga 115 mandate të imagjinuara në Asamblenë e PS-së, në vetëm “jo më pak se 71”, sot në Kavajë. Një rrëshqitje që e zhvesh kreun e qeverisë nga propaganda dhe e zhyt në ankthin e një beteje që nuk është më nën kontrollin e tij.

Shtatori i lartë – 115 mandate, arroganca në kulm

Ishte 8 shtatori i vitit të kaluar kur Edi Rama, me buzëqeshjen e vet të vetëkënaqur dhe vetëbesimin e një lideri që nuk e pyet më askush, shpalli “shfarosjen” e opozitës duke premtuar një rezultat të ngjashëm me atë të vitit 1997 – kur PS mori mbi 115 mandate dhe PD u katandis në 25.

“Do ta lëmë PD me rezultatin e 1997-ës,” tha Rama. Një premtim që, për nga natyra, nuk ishte më një projekt politik, por një dëshirë për dominim absolut. Një mesazh jo për qytetarët, por për militantët: “Ne s’kemi opozitë – kemi vetëm numra për t’i asgjësuar.”

Prilli i zbehur – 77 mandate, devijimi fillon

Por vetëm tetë muaj më vonë, më 10 prill, një ditë para nisjes zyrtare të fushatës, ai e uli ndjeshëm tonin dhe numrat: “Mbase do të fitojmë më shumë se 77 deputetë”, tha ai nga rubrika e tij virtuale në Facebook.

Ishte ndoshta momenti i parë kur Rama e kuptoi se vota nuk matet më me entuziazmin në komentet e rrjeteve sociale, as me sondazhet që i bën vetë partia, por me një realitet që po i rrokulliset nën këmbë: rrëzimi moral dhe politik pas skandaleve me drejtësinë, korrupsionin dhe pazaret e shëmtuara në emërime e tenderë.

17 prilli – Mjegullim total, asnjë shifër konkrete

Në një tjetër dalje, Rama shmangu përmendjen e çdo numri. Për herë të parë foli me fraza të mjegullta dhe pa asnjë besim të qartë: “Do e them nga Kuçi rezultatin final, kur t’i vijë koha.” E vetmja gjë që tha me bindje ishte se do të ketë “më shumë se sa ka sot” – pra, më shumë se 74.

Kur një lider kalon nga betejat me numra gjigantë, tek deklarata që s’ka më shumë se vetvetja, diçka e thellë ka ndryshuar. Jo vetëm në anketat e tij, por në bindjen se nuk e kontrollon më as terrenin dhe as dinamikën e zgjedhjeve.

21 prilli – Fundi i rënies: “Jo më pak se 71”

Dhe sot, në Kavajë, ra zyrtarisht perdja e fundit mbi teatrin e shifrave: “PS nuk merr më pak se 71 mandate,” tha Rama. Jo më 115, jo më 77, as më 74 – por 71, që është minimumi absolut për të ruajtur shumicën parlamentare.

Kjo është më shumë sesa një rënie graduale në komunikim: është dorëzimi para një realiteti ku as të dhënat e brendshme nuk japin siguri, dhe ku çdo fjalë e thënë më parë është kthyer në bumerang për vetë besueshmërinë e tij.

Një strategji elektorale në kaos, një lider që po ftoh bazën e vet

Një lider i matur, në prag zgjedhjesh, nuk bën asgjë që t’i demoralizojë mbështetësit. Por Rama, duke zbritur çdo javë parashikimin e rezultatit, po i jep bazës së tij një mesazh frikësues: “Nuk jemi më aq të fortë sa thoshim. Lëvizni, ndihmoni, bëni presion, blini vota, kërkoni ndihmën e bandës.”

Sepse në Shqipëri, siç dihet, nuk jetohet në botën e sondazheve që maten me klikime dhe telefonata – por në realitetin ku votat vidhen, blihen, shantazhohen dhe kërcënohen. Aty ku shteti përdor çdo formë presioni për të mbajtur pushtetin në mënyrë artificiale.

Nëse edhe sondazhet e vetë PS-së nuk e mbështesin më me bindje Ramën, çfarë mbetet? Frika. Jo shpresa.

Kjo është arsyeja pse retorika e tij ka zbritur. Sepse shpresa ka mbaruar. Sepse askush nuk i beson më përrallave për fitore plebishitare në një kohë kur SPAK i ka rrëzuar mitin e pastërtisë dhe i ka goditur drejtpërdrejt klanin e bashkëpunëtorëve.

Rama po hyn në zgjedhjet e 11 Majit si një lider i lodhur me gafa, me batuta e llogje Kavaje, pa besim, që e di mirë se nuk fiton më me frymë, por vetëm me frikë.

Publikuar nga Publik Media