Largohet Alda Bardhyli
Gazetarja dhe kritika e njohur letrare Arta Marku është emëruar në detyrën e Drejtoreshës së Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Vendimi u bë publik nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Me një karrierë të gjatë dhe të konsoliduar në gazetari kulturore, Marku është një emër i njohur në fushën e librit dhe kritikës letrare. Ajo i ka hapat e parë në media që në vitin 1993 me gazetën “Koha Jonë”, për të vijuar më pas në disa prej mediave më të rëndësishme në vend si “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli” dhe “Panorama”, ku ka trajtuar vazhdimisht temat që lidhen me letërsinë dhe kulturën.
Përveç angazhimit në shtypin e shkruar, Marku ka mbajtur role drejtuese si kryeredaktore në revista të rëndësishme kulturore. Që prej vitit 2014, ajo ka qenë prezente edhe në ekran me emisionin “Bibliotekë” në RTSH, si dhe me programin “Palimpsest” në Radio Tirana, duke kontribuar në promovimin e librit dhe autorëve shqiptarë.
Një tjetër dimension i veprimtarisë së saj janë nismat kulturore, si “AGORA”, përmes së cilës ka afruar letërsinë me publikun në forma më të hapura dhe ndërvepruese. Gjithashtu, ajo ka zhvilluar takime të shumta me nxënës në gjimnazet e Tiranë, duke nxitur leximin te brezat e rinj dhe duke qenë pjesë e jurive në konkurse dhe çmime letrare.
Përveç kësaj, Marku është edhe autore dhe përkthyese e disa veprave, duke e zgjeruar kontributin e saj në botën e librit përtej gazetarisë.
Ministri Gonxhja vlerësoi se përvoja dhe angazhimi i saj shumëvjeçar pritet të sjellin një qasje të re dhe një vizion të qartë për zhvillimin e politikave të leximit në vend. Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për ish-drejtoreshën Esmeralda Bardhyli, duke vlerësuar punën dhe kontributin e saj në drejtimin e institucionit ndër vite.







