Biznesmeni Gerond Meçe i cili, në bashkëpunim me baxhanakun e kryeministrit, fiton miliona euro nga tenderat e AKSHI-it, nuk paguan sigurimet shoqërore të punonjësve
TIRANË – Biznesmeni Gerond Meçe, një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave publikë në Shqipëri dhe bashkëpunëtor i ngushtë i baxhanakut të kryeministrit Edi Rama, është përfshirë në një tjetër skandal që përfshin mashtrime me sigurimet shoqërore, falsifikim dokumentesh dhe favorizim në tendera me fonde publike.
Sipas një dokumenti të Drejtorisë së Tatimeve për muajin shkurt 2025, të cituar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), kompania “Advanced Business Solutions – ABS” Shpk, e zotëruar nga Meçe, nuk ka paguar asnjë kontribut për sigurimet shoqërore për asnjë punonjës në muajin shkurt. Kjo ka çuar në përjashtimin e kompanisë nga një tender i rëndësishëm i KLGJ, për sistemin ICMIS, pasi u zbulua se të dhënat e vetëdeklaruara ishin të rreme.
Biznesmeni Gerond Meçe i cili, në bashkëpunim me baxhanakun e kryeministrit, fiton miliona euro nga tenderat e AKSHI-it, nuk paguan sigurimet shoqërore të punonjësve. Kjo është bërë e ditur nga një informacion i Tatimeve për muajin shkurt 2025, që citohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili e ka përjashtuar kompaninë “Advanced Business Solutions– ABS” Shpk nga një tender.
Bëhet fjalë për prokurimin e KLGJ me objekt “Sistemi i Integruar i Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS)”. Aty është kuptuar se kompania ka mashtruar me të dhënat e paraqitura.
Shoqëria “Advanced Business Solutions– ABS” Shpk në formularin përmbledhës të vetëdeklarimit, ka deklaruar se: “Të gjithë punonjësit janë të siguruar për muajt Nëntor 2024, Dhjetor 2024, Janar 2025 dhe Shkurt 2025.” Por, sipas vërtetimit zyrtar të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve (Nr. T12734577, datë 11 mars 2025), të paraqitur nga vetë kjo shoqëri në tender, rezulton se për muajin Shkurt 2025: Janë paguar 0 lekë kontribute për 0 punonjës”, konstaton komisioni i vlerësimit të ofertave i tenderit të KLGJ.
Në aplikimin e kompanisë së Meçes dallohet edhe një gabim që flet më shumë për rutinën e korrupsionit. Dokumentet thjesht janë letra për të mbushur dosjet, që nuk kanë lidhje me vlerësimin e ofertave apo me punën që do të bëhet.
“Në përmbajtjen e kontratës së bashkëpunimit, autoriteti kontraktor është identifikuar si “Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI)”, ndërkohë që procedura e prokurimit është zhvilluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ). Ky është një gabim thelbësor, që tregon se kontrata nuk është hartuar për procedurën konkrete dhe si e tillë, nuk mund të konsiderohet dokument valid për qëllime të kualifikimit”, shkruhet më tej në shkresën e KLGJ për Agjencinë e Prokurimit Publik. Zyrtarët e kësaj të fundit flenë gjumë, ose janë në fushatë, sepse duhet ta kishin kapur faktin që Gerond Meçe po i merr tenderat pa i pasur letrat në rregull.
Skandali thellohet edhe më tej: në dokumentet e tenderit, kompania kishte paraqitur një kontratë bashkëpunimi të hartuar për një institucion tjetër – AKSHI-n, ndonëse tenderi i përkiste KLGJ-së. Ky gabim nuk ishte teknik, por një provë flagrante e abuzimit rutinë dhe standardit të dosjeve “copy-paste” për të kapur tendera me letra fiktive.
Tenderat e majmë të Meçes: nga muzeumet te ndihma ekonomike
Meçe nuk ka patur nevojë të fshihet. Ai është bërë një klient VIP i Mirlinda Karçanajt, drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), me të cilën ka firmosur kontrata në vlerë mbi 53 milionë euro deri në dhjetor 2024.
Dy ndër tenderat më të fundit janë:
- Tenderi për sistemin e biletimit elektronik të muzeve, me vlerë mbi 192 milionë lekë me TVSH, ku konkurrenti tjetër “NAOL” Shpk paraqiti ofertë fiktive me vlerë zero.
- Tenderi për përmirësimin e sistemit të ndihmës ekonomike, me vlerë 214 milionë lekë me TVSH, i fituar nga po të njëjtat kompani në bashkëpunim.
Në të dyja rastet, nuk pati garë reale, ndërsa letra e konkurentëve të tjerë shërbyen vetëm për të justifikuar procedurën e mbyllur dhe të paracaktuar.
Pazaret e familjes: baxhanaku, kunata dhe 18 milionë euro xhiro
Sipas të dhënave nga QKB, Meçe është ortak me Armand Frangun, baxhanakun e Edi Ramës, në të paktën dy kompani IT: “B360” dhe “SIRMA”. Këto kompani janë përdorur për të kaluar më tej kontratat e fituara nga ABS, duke konsoliduar një skemë të dyshuar klienteliste dhe korruptive.
Por pazari nuk mbyllet me kaq. Në bordet e AKSHI-t, Emonela Denaj, kunata e Gerond Meçes, mban poste drejtuese në “I-Gov” dhe ka qenë e përfshirë në disa projekte si zbatuesja kryesore e kontratave që kanë përfituar kompanitë e lidhura me familjen e saj.
Dhe ndërsa paratë rrjedhin pa asnjë pengesë drejt Meçes, punonjësit e kompanive të tij mbeten pa sigurime shoqërore. Kjo është panorama e një shteti që shpërblen lidhjet personale, jo performancën dhe integritetin.
Nëse doni të kuptoni pse s’ka para për ndihmën ekonomike, për barnat, për fermerët apo për pensionet, shikoni ku shkojnë tenderat – në duart e familjes së pushtetit.
Dy miliardë lekë qyl: Biletat online të muzeve
Gerond Meçe është mësuar tek AKSHI, që e ka si shpellën e Ali Babës. Ndërkohë Meçe ka marrë nga Mirlinda Karçanaj 4 miliardë lekë në dy tendera të zhvilluar paralelisht me procedurën që organizonte KLGJ.
Më konkretisht, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit i ka dhënë bashkimit të operatorëve “Advanced Business Solutions – ABS Shpk, që mbulon me 94 % dhe Synapse ATS Shpk, kontratën “Biletimi qendror Online për Muzetë dhe Sitet e Trashëgimisë Kulturore. Përmirësimi i sistemit të Biletimit elektronik dhe platforma e shitjes së biletave”.
Fondi limit për këtë kontratë është 213,795,898 Lekë pa TVSH. Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 6 muaj implementim dhe 24 muaj mirëmbajtje nga nënshkrimi i kontratës. Meçe e kishte futur kontratën në xhep qysh në dhjetor 2024, por përmbajtja e saj u bë publike vetëm në prill 2025.
Ajo që duam ta nënvizojmë është se tenderi është krejt formal dhe i paracaktuar. Kështu njëri nga operatorët ekonomikë, “NAOL” SHPK është paraqitur fiktivisht (nuk ka paraqitur dokumente) duke rezultuar ofertë me zero lekë.
Ndërsa “Advanced Business Solutions – ABS” dhe Synapse ATS, ka bërë ofertën 192,416,400.00 Lekë me Tvsh.
Nuk ka lekë për ndihmën e ekonomike, por Gerondi merr 2 miliardë për regjistrimin e tyre
Ndërsa tenderi tjetër i përfituar sërish nga dy kompanitë, “Advanced Business Solutions – ABS Shpk, dhe Synapse ATS Shpk, ka si objekt “Përmirësimin dhe Integrimin e Sistemeve të Menaxhimit të Informacionit për Ndihmën Ekonomike, Personat me aftësi të Kufizuar dhe Shërbimit Social”. Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 12 muaj implementim dhe 24 muaj mirëmbajtje. Fondi limit për këtë shërbim është 226,460,451 Lekë pa TVSH. Edhe në këtë tender të AKSHI-it është prezentë kompania “NAOL” SHPK, e cila nuk bën ofertë. Ndërsa kompania e Meçes ka fituar me ofertën 214 896 000 Lekë me TVSH.
Partner biznesi me baxhanakun e Ramës
Me Mirlinda Karçanajn biznesmeni Meçe i merr tenderat pa problem edhe pa paguar sigurimet e punonjësve. Sasia e fondeve të firmosura nga Karçanaj për llogarit të Gerond Meçes është rekord.
Deri në dhjetor 2024, më shumë se 53 milionë euro tendera të AKSHI-t, janë përfituar nga kompanitë e shtetasit Gerond Meçe. Ky i fundit, pasi ka përfituar tenderat, nga AKSHI, ia ka kaluar punimet kompanive të Armand Frangut, i cili është gjithashtu ortak i Gerond Meçes në dy kompani.
Nga të dhënat publike të prokurimeve rezulton se kompanitë e Gerond Meçe, janë përfituesit e 53 milionë eurosh tendera nga AKSHI. Meçe është ortak biznesi i Armand Frangut, i njohur si baxhanaku i Kryeministrit Edi Rama. Kompania ABS, e përdorur nga Meçe për të fituar tenderat e AKSHI-t, ka një rritje galopante të xhiros nga viti 2012, kur deklaronte xhiro 131 milionë lekë e deri në vitin 2024 kur xhiro ka arritur në mbi 18 milionë euro.
Baxhanaku i kryeministri Edi Rama, sipas të dhënave të siguruara nga QKB, rezulton aksioner në 2 kompani, B360 e bashkëthemeluar me Gerond Meçe dhe SIRMA e themeluar në vitin 2017 me ortak kompaninë SIRMA inc ku Armand Frangu ka në zotërim 45% të aksioneve. Të dyja këto firma kanë si objekt shërbimet IT.
Nga ana tjetër, Ermonela Denaj, drejtoreshë e I-gov pranë AKSHIT, është njëkohësisht kunata e Gerond Meçes, njeriut që merr tenderat nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe më pas kanalizon te Armand Frangu. Denaj gjithashtu ka qenë në disa projekte edhe si përgjegjëse për zbatimin e kontratës, duke pasur konflikt të hapur interesi, me biznesmenin Gerond Meçe. E kuptojmë që Meçe ka gjetur partnerin e duhur për pazaret me AKSHI-n, por nuk e shpjegojmë dot përse nuk u paguan në kohë sigurimet e punonjësve?
Kush është Gerond Meçe që përlau miliona euro tendera sekretë

Ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Ramës dhe një nga njerëzit me më shumë informacion brenda qeverisë të Ramës, për shkak të detyrave qe ka mbajtur, Arben Ahmetaj, ka treguar se familja kryeministrore është përgjuar ambientalisht dhe ka regjistrime aferash korruptive të njerëzve familjare të kryeministrit.
Sipas tij, përgjimi ka shkuar në SPAK dhe madje kanë tentuar ta zhdukin, por është ruajtur një kopje e tij.
Ahmetaj: Doni fakte, doni oborrin e familjes së Edi Ramës. Meqë është futur tek familja ime, kanë kaluar derën në mënyrë të paligjshme. Shumë e kollajtë është të futesh brenda shtëpisë së një burri, nuk e di sa kollaj është të dalësh. Ja AKSHI ku është. Ka 8 muaj që investigohet, është bërë një përgjim ambiental që është në SPAK, edhe mund ta zhdukin, por dikush e ka tjetër. Dikush e ka, dhe ai dikush më ka garantuar se një kopje e saj, është në një kuti. Kanë bërë përgjim ambiental ku është përfshirë familja e kryeministrit tek AKSHI. 43 mln nëpërmjet prestanomeve.
Peka: Ka rënë familja e kryeministrit tek AKSHI në përgjim ambiental…
Ahmetaj: I është përmendur emri për shumë, shumë gjëra në atë përgjim ambiental. Nuk janë thashetheme. Dhe që atë ditë, ABS që ka qenë një prestanome e njerëzve të afërt të kryeministrit, prestanome, që ka marrë 43 mln, që është rritur në mënyrë të papritur, ju këput filli trak. Pse, se u thërrit në SPAK dhe deponoi. U thërrit në SPAK dhe deponoi. Çfarë ka thënë në SPAK unë e di. Me siguri edhe kryeministri e di. Deri sa e di unë, sigurisht që e di dhe kryeministri. Këtu janë 43 mln. Dhe tani është në kontroll të dikujt tjetër. AKSHI është tmerr. Danieli është kërcënuar. Tani ata që e kuptojnë e dinë shumë mirë që të mbylli gojën. Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën. Le të dalë e të bëjë batuta, jo tha…
Po kush është kompania ABS që ka përfituar 43 miionë euro tendera sekretë?
Bëhet fjalë për kompaninë Advanced Business Solutions – ABS, me nipt K21710002J, themeluar në vitin vitin 2002 nga Shegush Meçe.


Kompania ka si objekt; Tregetimi, import-eksport i paisjeve elektronike, informatike, mekanike te telekomunikacionit, te linjave dhe makinerive, te pjeseve te ndryshme te kembimit.
Nga viti 2010, pronar i kompanisë rezulton Gerond Meçe, 52 vjeç, i biri i Shegushes.


Kompania me administrator Eriksela Shuli dhe Shkëlqim Kërluku, nuk rezulton me ndonjë lidhje të dukshme me familjarë të kryeministrit, edhe Meçe është lakuar si ortak me Armand Frangun, i njohur si baxhanaku i kryeministrit Rama.
Kompania Advanced Business Solutions – ABS ka marrë 43 milionë euro tendera nga institucionet publike, shumicën me procedura sekrete, me oferta fituese sa fondi limit, kryesisht pa garë, me paracaktim etj.
Të gjithë këto elemente ngrenë dyshime të forta për një skemë të dyshuar korrupsioni me paratë publike.
Janë mbi 800 transaksione që institucionet publike kanë bërë me kompaninë Advanced Business Solutions – ABS, duke i kaluar në llogari 43 milionë euro për shërbime si mirëmbajtje të aparateve dhe pajisjeve të zyrave, shërbime speciale, instalim të sistemit të kompjuterave etj.











