Giro d’Italia në Shqipëri: Një kapitull historik për sportin dhe turizmin

Ismiana Kobellari

Për herë të parë në vendin tonë po zhvillohet gara më prestigjioze e çiklizmit – “Giro d’Italia”.

Shqipëria mirëpret çiklistët më të mirë nga e gjithë bota në një garë tre-ditore, e cila ndiqet nga mbi 800 milionë shikues në 200 vende të ndryshme.

Ky është një eveniment tejet i rëndësishëm për vendin tonë, pasi përforcon rolin e Shqipërisë në hartën ndërkombëtare të sportit dhe turizmit.

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë ngjarje si një “kartëvizitë” për Shqipërinë, duke theksuar ndikimin e saj në promovimin e imazhit të vendit dhe rritjen e interesit turistik.

Por çfarë është “Giro d’Italia”?

Bëhet fjalë për një garë elitare, e ndarë në dy etapa, që do të zhvillohet nga 9 deri më 11 maj.

Etapa e parë – 9 maj

Çiklistët do të përshkojnë një distancë prej rreth 164 km me një ngjitje totale prej afro 1,800 metrash.

Pikat kyçe të kësaj etape përfshijnë:

  • Ngjitjen në Gracen (kategori e 2-të – 13.5 km me 5.2% pjerrësi)
  • Dy herë ngjitjen në Surrel (kategori e 3-të – pjerrësi deri në 13%)
  • Përfundimi i etapës ndodh në Tiranë, pas një xhiroje 22.2 km të përsëritur dy herë në qendër të qytetit.

Etapa e dytë – 10 maj

Gara nis nga Vlora dhe mbulon një distancë prej 160 km me një ngjitje totale prej rreth 2,800 metrash.

Pikat më të rëndësishme përfshijnë:

  • Ngjitjen në Qafën e Llogarasë (kategori e 2-të – 10.7 km me 7.4% pjerrësi),
  • Segmentet panoramike përgjatë bregdetit jugor duke përfshirë Porto Palermo dhe Himarën,
  • Përfundimi bëhet sërish në Vlorë, pas një zbritjeje të gjatë dhe një segmenti të sheshtë.

Kush merr pjesë?

Shumë emra të njohur të çiklizmit botëror kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë edicion, mes tyre:

Primoz Roglic, Juan Ayuso, Adam Yates, Egan Bernal dhe Wout van Aert.

Roglic, fitues i katërfishtë i “Vuelta a España”, është një nga favoritët kryesorë për këtë garë.

Si mund të ndiqet gara?

Për qytetarët shqiptarë, gara është lehtësisht e aksesueshme për t’u ndjekur drejtpërdrejt nga rrugët e Tiranës apo të Vlorës. Ajo transmetohet gjithashtu live në platformat ndërkombëtare si TNT Sports dhe Discovery+, duke ofruar mbulim të plotë për të gjithë adhuruesit e këtij sporti.

Ky aktivitet sportiv do të shpalosë jo vetëm konkurrencën mes sportistëve elitarë, por edhe bukurinë e natyrës dhe peizazheve shqiptare. Me verën që po afron, “Giro d’Italia” mund të konsiderohet edhe si nisja zyrtare e sezonit turistik në Shqipëri – një sezon që nuk duhet humbur!

Publikuar nga Publik Media