GJKKO lë në burg 3 anëtarët e grupit të Talo Çelës

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Ado Xhikës (i njohur edhe si Ado Cërriku ose Elkier Cërriku), si dhe ndaj Ervis Dakës dhe Maksim Koçit, të cilët u ekstraduan së fundmi nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Shqipëri.

Të tre dyshohen për vepra penale si “Vrasja me paramendim” në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, Ervis Daka ka siguruar kushtet për tentativën e vrasjes së Arjan Spahiut në Belgjikë dhe ka pasur rol informator në tentativën për vrasjen e shtetasit Kei Piu. Maksim Koçi dyshohet për vrasjen e dy personave dhe për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy të tjerëve.

Ndërkohë, Ado Xhika akuzohet për përkrahje të autorit të krimit, si pjesë e grupit kriminal, në sulmin me snajper ndaj Ardian Çapjas, i cili ka mbijetuar këtij atentati.

Publikuar nga Publik Media