Gjykata i jep të drejtë Agim Kajmakut

Kajmaku merr pagat e një mandati të plotë dhe kompensim për “dëmin moral”, pavarësisht falsifikimit të të shkuarës kriminale

VORË / TIRANË – publik.al

Ish-kryetari i Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, i cili u shkarkua në vitin 2019 pas zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, ka fituar një betejë gjyqësore ndaj institucioneve të shtetit shqiptar. Gjykata Administrative e Tiranës ka shpallur të padrejtë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shkarkimin e tij, duke e konsideruar të pabazuar në prova të plota.

Vendimi ka shkaktuar jo pak reagime, për shkak se pasoja e tij është financiare dhe morale  dëmshpërblim i plotë për një mandat që Kajmaku nuk e përfundoi kurrë, si dhe kompensim emocional për familjen e tij.

Pagat e një mandati të plotë për 3 muaj punë

Sipas vendimit të gjykatës, Bashkia Vorë dhe Këshilli i Qarkut Tiranë janë detyruar të dëmshpërblejnë Agim Kajmakun me të gjitha pagat dhe përfitimet që do të kishte marrë për një mandat të plotë 4-vjeçar. Kujtojmë se ai ka shërbyer vetëm 3 muaj në detyrë përpara se të shkarkohej më 1 nëntor 2019, pas një vendimi të Prokurorisë së Përgjithshme që vërtetoi se Kajmaku kishte përdorur identitetin Jorgo Toto në Greqi dhe ishte dënuar për falsifikim parash – një informacion që nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

29 mijë euro kompensim “për dhimbje emocionale”

Përveç pagave dhe përfitimeve financiare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të paguajë edhe kompensim moral:

•15 mijë euro për Kajmakun

•7 mijë euro për bashkëshorten e tij

•7 mijë euro për djalin e tij

Pra, në total 29 mijë euro si dëm moral për familjen Kajmaku, me pretendimin se procesi i shkarkimit u ka shkaktuar “vuajtje psikologjike”.

Nga shkarkim për shkelje ligjore, në shpërblim me miliona lekë

Ky zhvillim ka ngjallur reagime dhe ironi publike, pasi në vitin 2019, vetë kryeministri Edi Rama mbështeti vendimin e KQZ për largimin e Kajmakut, duke e konsideruar si një akt që tregonte integritetin e institucionit dhe refuzimin e Partisë Socialiste për të bërë strehë për individë me precedentë penalë.

“KQZ ka provuar sot përsëri se është një institucion që mbron ligjin dhe interesin publik. Po ashtu, Partia Socialiste ka riprovuar sot se s’bëhet strehë e askujt që merr përsipër të shkelë ligjin dhe besimin tonë,” – shkroi Rama në Twitter më 1 nëntor 2019.

Megjithatë, sot, e njëjta çështje ka marrë një drejtim të kundërt – ku Kajmaku, nga një figurë e përjashtuar për shkelje të ligjit të dekriminalizimit, del si viktimë e institucioneve dhe përfitues i qindra mijëra eurove nga fondet publike.

Publikuar nga Publik Media