Gjykata lë në burg dy nipërit e ish-kryebashkiakut Agron Kapllanaj

Goditën agjentët e BKH-së/ Lihen në qeli dy nipat e Agron

Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për dy nipat e Agron Kapllanajt, Klajdi dhe Gerald Kapllanaj si dhe për Gerald Kollçakun të cilët disa ditë më parë goditën agjentët e BKH-së dhe forcave operacionale në Fier.

Një ditë më parë prokuroria e Fierit nisi hetimet ndaj tre të arrestuarve me akuzën e goditjes për shkak të detyrës.

“Një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, kanë qenë duke kryer veprime hetimore në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në aksin rrugor Fier-Patos, në afërsi të fshatit Portëz e Madhe, Fier. Gjatë kohës që ishin duke kryer veprime, ata janë filmuar nga shtetasi O.I., ç’ka i ka detyruar të largohen nga vendi ku ishin pozicionuar. Rreth 30 minuta më pas, gjatë kohës që ishin duke qendruar në mjetin e tyre në një vend tjetër, në anë të rrugës publike pranë vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i Parkut”, të qytetit të Fierit, u janë afruar tre automjete nga kanë kanë zbritur disa persona, të cilët kanë ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve të policisë, pavarësisht prezantimit të këtyre të fundit”, deklaroi Prokuroria.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier – Patos, në afërsi të një kompanie ndërtimi ‘Shkëlqimi 07’, në pronësi të Shkëlqim Kapllanaj, vëllai i Agron Kapllanaj. Djali i Shkëlqimit bashkë me djalin e vëllait tjetër, Pëllumbit janë përplasur fizikisht me oficerët e BKH-së. Gerald Kollçaku punonjës i fabrikës dhe mik i tyre është gjithashtu i përfshirë në konflikt.

Ata kanë deklaruar se nuk e dinin që ata ishin agjentë dhe nëse do ishin prezantuar nuk do të kishte ndodhur ngjarja.

Nga ana tjetër në një reagim SPAK ka deklaruar se agjentët e BKH-së janë sulmuar pa motiv.

Publikuar nga Publik Media