Gjykata le në burg Ylber Jakun që vrau bashkëfshatarin në Has

Ka dalë sot para gjykatës së Kukësit për t’u njohur me masën e sigurisë 41-vjeçari Ylber Jaku, i cili tre ditë më parë vrau me armë zjarri 34-vjeçarin Reshit Sallahu në fshatin Pla të Hasit, për motive hakmarrje pas një sherri të vazhdueshëm për pronat.

Gjykata vendosi ndaj Jakut masën e sigurisë “arrest me burg”, teksa seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura. Vetë Ylber Jaku nuk ka pranuar që të përfaqësohet nga një avokat shqiptar, duke thënë “nuk kam besim te drejtësia shqiptare”. Ai tha se është shtetas anglez, bashkë me gruan dhe fëmijët, dhe do të përfaqësohet nga një avokat i huaj.

Ngjarja ndodhi pasditen e 7 majit, në një moment kur dy ditë më parë familjarët e viktimës dhe të autorit ishin përfshirë në një konflikt për pronat. Motra e të ndjerit Reshit Sallahu, 21-vjeçarja Artjola Sallahu, kishte dhunuar me sende të forta prindërit e autorit, Agim dhe Vera Jaku. Të moshuarit përfunduan në spital me plagë, ndërsa Artjola u arrestua për plagosje të rëndë dhe të lehtë me dashje dhe gjykata e la në burg një ditë pas vrasjes së vëllait të saj.

Anëtarët e familjes Jaku kishin bërë një sërë kallëzimesh në polici për konfliktin e vazhdueshëm, i cili përfundoi tragjikisht për 34-vjeçarin Sallahu.

Publikuar nga Publik Media