Gonxhe përplas Alma Tafanin me Qefalinë për tenderin 4 MLN euro

Tenderi për ushqimin e Traumës dhe të Maternitetit

Ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhe, me marrjen në kontroll të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), jo vetëm që nuk i ndërpreu lidhjet klienteliste të trashëguara, por po i fuqizon ato përmes kontratave shumëvjeçare të tipit “koncesion pa emër”. Rasti më i fundit është tenderi 4.1 miliardë lekë për ushqimin e dy spitaleve të mëdha në Tiranë  i kthyer tashmë në një arenë përplasjeje mes dy figurave të njohura në botën e tenderëve: deputetit socialist Xhemal Qefalia dhe biznesmenes Alma Tafani.

Ushqimi i spitaleve: 4.1 miliardë lekë, 48 muaj shërbim

Tenderi përfshin dy lote:

  • Loti 1 – “Mbretëresha Geraldinë”: 185.2 milionë lekë pa TVSH
  • Loti 2 – Spitali Universitar i Traumës: 217.3 milionë lekë pa TVSH

Kontratat janë afatgjata – 48 muaj për maternitetin dhe 36 për Traumën – duke i kthyer praktikisht në koncesione të maskuara. Kapacitetet e kërkuara janë të larta, përfshirë prodhimin e 300 racioneve në vakt vetëm për Spitalin e Traumës.

Objekti i kontratës është “Shërbim Gatimi dhe shpërndarje ushqimi, ndarë në 2 pjesë: Loti 1: “Gatimi dhe shpërndarje ushqimi (Catering) në S.U.O.GJ “Mbretëresha Geraldinë”; Loti 2: “Shërbimi i gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit për Spitalin Universitar të Traumës”. Në lojë janë 402,593,295.64 lekë pa tvsh ose 4,104,744.04 Euro pa TVSH.

Procedura e Prokurimit e publikuar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara që gatimi dhe shpërndarja e ushqimit (Catering) në S.U.O.GJ “Mbretëresha Geraldinë”, të kushtojë 185.2 milionë lekë pa tvsh,  ndërsa për Spitalin Universitar të Traumës, 217.3 milionë lekë pa TVSH.

Sipas dokumenteve shoqëruese kohëzgjatja e kontratës kuadër ose afati për zbatimin e saj është  48 muaj për Maternitetin dhe 36 muaj për Traumën.

Lidhur me këto lote nga ana e institucioneve janë vendosur kushte specifike. Ku për shërbimin e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit të Spitalit Universitar të Traumës nënvizohet që kapaciteti i kuzhinës duhet të jetë i tillë që të prodhojë rreth 300 racione në vakt.

Qefalia kundërshton… për të fituar më mirë?

Tenderi është shpallur më 19 qershor 2025, ndërsa data e fundit për dorëzimin e dokumenteve  është vendosur 21 korriku 2025. Por papritur procedura është pezulluar pas një ankese të bërë nga kompania “Dajti Park 2007”, pronë e familjes së deputetit Qefalia.

Ankimimi i firmosur nga Lulzim Qefalia kërkon ndryshimin e disa kushteve dhe kritereve, ku mendojnë se kundërshtarët janë të favorizuar.

“Konsiderojmë të papërshtatshëm faktin që është parashikuar vetëm një Mercolog Ushqimor (Agroushqimor) për të gjitha lotet së bashku, edhe kur bëhet fjalë për institucione me ndjeshmëri të lartë dhe shërbim të përditshëm për 365 ditë në vit me 3 vakte ushqimore në ditë.

Procedura u pezullua vetëm pak ditë pas shpalljes, pasi kompania “Dajti Park 2007”, në pronësi të familjes së Xhemal Qefalisë, dorëzoi një ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Ankimi, i firmosur nga Lulzim Qefalia, pretendon favorizim të operatorëve të tjerë dhe vendosje kriteresh diskriminuese si detyrimi për të shpenzuar 80-100 mijë euro menjëherë për pajisje frigoriferike – një “barrierë” që kufizon konkurrencën.

“Sistemi i vlerësimit me pikë është i paqartë dhe lejon subjektivitet,” thuhet në ankesë.

Kujtojmë se “Dajti Park 2007” furnizon ushqimin e spitalit të Traumës që nga viti 2022. Kjo kompani është përfituese e tenderit “Loti 1 “Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për Spitalin Universitar të Traumës” me fondi limit 132 776 585,00lekë pa TVSH.

Tenderi u organizuar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara që në atë kohë varej nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, u mbajt më 9 shkurt 2022 dhe një muaj më pas Qefalia u shpall fitues. Përballë kishte kompaninë “Sori-AL” shpk, e cila u skualifikua.

Alma Tafani e kundërshtoi vendimin në Komisionin e Prokurimit Publik, por pesha politike e Qefalisë rëndoi vendimin e KPP-së.

Alma Tafani, tjetër “yll” i tenderëve të Gonxhes

Në shtator 2024, Alma Tafani përfitoi një tjetër kontratë luksoze: 3.1 milionë euro për ushqim në Spitalin Psikiatrik të Vlorës. Vetëm 5 ditë më vonë, në të njëjtin spital, u prokurua një tjetër tender “emergjent” me vlerë 195 milionë lekë. Procedura zgjati vetëm 24 orë, pa garë dhe pa transparencë. Fituese? Sori-Al, një nga kompanitë e lidhura me Tafanin.

Gonxhe shpërndan miliona në emër të ushqimit

Nën drejtimin e Gonxhes, OBP ka ndarë me bujari kontrata shumëvjeçare për ushqimin në sistemin e burgjeve me një fond total prej 26.1 milionë euro, të ndarë në 6 lote. Fituesit kryesorë? Sërish Dajti Park 2007 e Qefalisë dhe kompanitë e Shemsi Sinanit, një tjetër emër i dënuar për korrupsion me tenderat e burgjeve.

Nga lavanderia te IPARD,  një perandori në sektorin publik

Tafani është përfituese e 4 kontratave koncesionare në sektorin e shëndetësisë, përfshirë lavanderinë e QSUT. Ajo ka marrë gjithashtu 540 mijë euro grant IPARD nga Ministria e Bujqësisë, duke ndërtuar një perandori biznesi të ndërlidhur me institucionet shtetërore.

SPAK hesht për Gonxhen

Përkundër denoncimeve për shkelje në tendera dhe lidhje me kompani përfituese si Albarent, Gonxhe ka shpëtuar deri më tani nga hetimet e thelluara të SPAK. Ai është marrë në pyetje vetëm një herë në korrik 2022, ndërsa akuzat për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera janë arkivuar në heshtje.

Ndërsa shqiptarët përballen me çmime të rritura dhe varfëri të thelluar, kontratat miliona euro për shërbimet më bazike në spitale apo burgje u jepen të njëjtave fytyra politike apo të lidhura me pushtetin. OBP, që duhej të ishte instrument për efikasitet dhe transparencë, është kthyer në “makineri tenderash të blinduar” për oligarkët e qeverisë.

Publikuar nga Publik Media