Edi Rama dhe Erion Veliaj u panë duke bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve, në mes të shiut, në një skenë që ishte po aq teatrale sa ishte e turpshme. Pranë tyre, një grup nostalgjikësh të Enver Hoxhës plotësonte mozaikun grotesk të këtij rituali politik.
Por ndryshe nga diktatura e Hoxhës, që bazonte legjitimitetin e saj në një ideologji të shtrembëruar, diktatura e sotme nuk ka as parime dhe as kauzë. Ajo mbijeton vetëm falë krimit, vjedhjes dhe korrupsionit të një niveli të paparë. Në këtë “mobokraci” – një sundim i drejtuar nga mafia politike – Rama dhe Veliaj janë dy prej fytyrave më të neveritshme.
Në ceremoninë përpara dëshmorëve, të cilët dhanë jetën për atdheun, këta dy politikanë po bënin sikur nderonin sakrificat për një Shqipëri të lirë, ndërsa në realitet janë simboli i një regjimi që po thith çdo burim të vendit. Ata nuk nderojnë dëshmorët, por poshtërojnë gjithçka që ata përfaqësojnë.
Një histori hajdutërie
Rama dhe Veliaj janë bashkautorë të disa prej aferave më të mëdha në historinë moderne të shtetit shqiptar. Skandali i inceneratorëve është maja e piramidës, një aferë që i ka shkaktuar vendit një dëm prej qindra milionë eurosh. Megjithatë, drejtësia e kapur e partisë ka vepruar me gjysmë zemre: disa figura të vogla janë flijuar për të krijuar iluzionin e një lufte kundër korrupsionit, ndërsa ata që kanë drejtuar këtë makineri vazhdojnë të mbajnë poste dhe të shtojnë pasuri.
Dosja “5D” e Veliajt mbetet një turp historik. Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, një zyrtar akuzohet për zhdukjen e 100% të fondeve për një projekt publik. Në çdo vend tjetër, një rast i tillë do të kishte çuar në arrestime masive. Në Shqipëri, Veliaj vazhdon të ndërtojë propaganda që shiten si sukses urban.
Ndërkohë, lista e skandaleve të Ramës është aq e gjatë sa i bën hije çdo qeverie tjetër në rajon. Nga koncesionet e dyshimta deri tek dhënia e milionave për familjarët e tij, ai ka ngritur një sistem ku çdo pasuri publike mund të shndërrohet në burim përfitimi personal.
Përdhosje e historisë
Përpjekja e tyre për t’u lidhur me simbolet dhe ritualet e një diktature të kaluar është një maskë e trashë. Enver Hoxha, me gjithë krimet dhe çmenduritë e tij, pretendonte një ideologji dhe një vizion për të ardhmen. Rama dhe Veliaj nuk kanë asgjë tjetër për të ofruar përveç arrogancës, propagandës dhe një oreksi të pafund për pushtet dhe para.
Kjo diktaturë e re, bazuar mbi drogën, korrupsionin dhe hajdutërinë, është shumë më e keqe. Sepse nuk ka asnjë iluzion për idealizëm, asnjë premtim për përmirësim dhe asnjë kufizim në lakminë e saj. Dhe, mbi të gjitha, sepse e ardhmja që ofron nuk është vetëm e zymtë – është e pashpresë./Syri