Hakerat marrin të dhëna sensitive në faqen e Bashkisë së Tiranës

Grupi i njohur i hakerëve “Homeland Justice” ka marrë përgjegjësinë për një sulm kibernetik ndaj Bashkisë së Tiranës, duke pretenduar se kanë ndërprerë funksionimin e faqes zyrtare, kanë nxjerrë të dhëna të ndjeshme dhe kanë fshirë të gjithë serverët.

Në një postim të publikuar në kanalin e tyre në Telegram, hakerat shprehen: “Të gjitha këto aktivitete janë kryer nga Bashkia e Tiranës, sot ata po ndëshkohen për veprimet e tyre. Ne kemi rrëzuar faqen e tyre, kemi marrë të dhënat dhe kemi fshirë serverët.”

Postimi shoqërohet me pamje të faqes zyrtare të Bashkisë së Tiranës para dhe pas ndërhyrjes, ku në versionin “pas sulmit” shfaqet një ekran bosh me efekt të dëmtimit grafik.

Gjithashtu, grupi ka publikuar një model 3D të godinës së Bashkisë me mbishkrimin “yes, you were right”, që interpretohet si konfirmim për një sulm të paralajmëruar më herët.

“Mbi 3000 terroristë iu imponuan Shqipërisë. Toka shqiptare u detyrua të strehojë këta të mjerë të shkatërruar Është e kuptueshme për shqiptarët mikpritës. Shpresojmë që iranianët (që tani kanë të drejtën ligjore të hedhin raketat e tyre “mbinatyrore” në kampin e Manzës) ta kuptojnë këtë”, thuhet në një mesazh tjetër.

  • Çfarë është Homeland Justice?

HomeLand Justice është faqe e internetit me shtrirje ruse që u shfaq para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania, në mes të korrikut 2022. Sipas analizës së Microsoft, pas faqes së internetit qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane, i cili është përgjegjës për sulmin në internet.

Kujtojmë se grupi “Homeland Justice” me parë ka publikuar një sërë dokumentash. Mes tyre, kanë qenë lista të zgjedhësve, certifikatat e sigurisë të punonjësve të Ministrisë.

Të dhëna të tjera që janë publikuar prej tyre janë patentat, targat, pagat si dhe listën e punonjësve të SHISH. Ata kanë publikuar dhe të dhënat personale të ish-kryepolicit Muhamet Rrumbullaku, ish-kreut të SHISH, Helidon Bendo, nënkryetarit Oljan Kanushi, ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano si dhe e-mailet e këtij të fundit.

Lista me fluturimet e kryeministrit Edi Rama ishte një tjetër publikim që ngjalli debat në vend, me opozitën që ka kërkuar komision hetimor, duke akuzuar Ramën për shpërdorim detyre dhe vjedhje të parave publike.

Mes publikimeve kanë qenë dhe dokumenta të klasifikuara “sekret”, që erdhën pasi kryeministri Edi Rama do të deklaronte se nga hakerat nuk janë marrë të dhëna sekrete.

Gjithashu u publikuan disa mail-e të zyrtarëve të lartëve, mes tyre deputetë të Kuvendit./ Boldnews.al

Publikuar nga Publik Media