Hamasi refuzon propozimin e SHBA për armëpushimin: Nuk përmbush kërkesat thelbësore

Hamasi pritet të refuzojë propozimin më të fundit të Shteteve të Bashkuara për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe për një marrëveshje për lirimin e pengjeve. Lajmi u bë i ditur nga një zyrtar i lartë i këtij grupi, i cili deklaroi se plani nuk përmbush kërkesat thelbësore të Hamasit, përfshirë përfundimin e plotë të luftës. Ai shtoi se përgjigjja zyrtare do të jepet në kohën e duhur.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Izraeli ka miratuar planin e të dërguarit amerikan Steve Witkoff dhe tashmë pritet reagimi zyrtar i Hamasit.

Mediat izraelite raportojnë se marrëveshja parashikon lirimin e 10 pengjeve të gjalla dhe dorëzimin e trupave të 18 pengjeve të vdekur nga Hamasi, në këmbim të një armëpushimi 60-ditor dhe lirimit të disa të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

Pas prishjes së armëpushimit dy mujor më 18 mars – i ndërmjetësuar nga SHBA, Katari dhe Egjipti – Izraeli rivendosi bllokadën e plotë mbi Gazë dhe rifilloi ofensivën ushtarake. Më 19 maj, ushtria izraelite nisi një operacion të zgjeruar, për të cilin kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se synon marrjen e kontrollit mbi të gjitha zonat e territorit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila kontrollohet nga Hamasi, rreth 4,000 njerëz janë vrarë në dhjetë javët e fundit të konfliktit. Ndërkohë, OKB bën të ditur se mbi 600,000 persona janë zhvendosur sërish si pasojë e operacioneve tokësore izraelite dhe urdhrave për evakuim. Një raport i mbështetur nga OKB-ja paralajmëron gjithashtu se rreth 500,000 banorë të Gazës rrezikojnë përballjen me nivele katastrofike urie në muajt në vijim.

Publikuar nga Publik Media