Harvard nuk mund të regjistrojë më studentë ndërkombëtarë!

Vendimi i administratës Trump

Qeveria e presidentit amerikan Donald Trump ka tërhequr mundësinë e Universitetit të Harvardit për të regjistruar studentë ndërkombëtarë, njoftoi të enjten Departamenti i Sigurisë së Brendshme.

Ministrja e Sigurisë së Brendshme, Kristi Noem, urdhëroi që të ndërpritet certifikimi i Universitetit të Harvardit në programin e shkëmbimit të studentëve (Student and Exchange Visitor Program), thuhet në deklaratën e departamentit.

Ky veprim do të thotë se Harvard nuk mund të regjistrojë më studentë ndërkombëtarë dhe studentët e huaj ekzistues duhet ose të transferohen në një institucion tjetër ose do të humbin statusin e tyre të ligjshëm, theksohet në deklaratë.

“Kjo administratë po e mban Harvardin përgjegjës për promovimin e dhunës, antisemitizmit dhe bashkëpunimin me Partinë Komuniste Kineze në kampusin e tij,” deklaroi Noem. “Është një privilegj, jo një e drejtë, që universitetet të regjistrojnë studentë të huaj dhe të përfitojnë nga tarifat më të larta të shkollimit që ata paguajnë për të shtuar fondet e tyre prej miliarda dollarësh.”

Universiteti i Harvardit dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Publikuar nga Publik Media