Në një kohë kur shoqëria jonë po përballet me kriza të thella morale, sociale dhe politike, heshtja është më shumë se indiferencë. Është bashkëpunim aktiv me të keqen. Luiza Gega, Çiljeta Xhilaga, Roland Hysi dhe të tjerë duhet të mbajnë përgjegjësi jo sepse kanë zgjedhur të mbështesin një politikan apo një pushtet, por sepse me heshtjen dhe praninë e tyre e legjitimojnë një sistem të dyshuar kriminal.
Ata, që deri dje përfaqësonin talentin, përkushtimin dhe meritokracinë, sot përfaqësojnë nënshtrimin dhe normalizimin e padrejtësisë. Ata janë bërë vegla të një sistemi që përdor njerëzit si fasadë për të mbuluar korrupsionin e vet të përditshëm. Nuk janë më sportistë dhe artistë që frymëzojnë; janë kthyer në simbolin e shitjes së dinjitetit për përfitime të vogla personale.
Ku ishin ata kur u shemb Teatri Kombëtar në errësirë, për të zhdukur një pjesë të historisë dhe kulturës kombëtare? Ku ishin ata kur fëmijët e varfër të Unazës së Re, të trembur dhe mes lotëve, u përballën me gaz lotsjellës në shtëpitë e tyre të rrënuara? Ku ishin ata kur 17-vjeçari Ardit Gjokaj humbi jetën në një vend pune ilegal, për një sistem që shfrytëzon dhe pastaj flak të rinjtë si të mos kishin ekzistuar kurrë?
Ata heshtën. Dhe heshtja e tyre është bashkëfajësi. Ata ishin aty, kur artistët dhe sportistët e ndershëm, që nuk pranuan të përkulen, u përjashtuan, u poshtëruan dhe u lanë në harresë. Kur talentet e reja u shtynë mënjanë për t’u bërë vend servilëve dhe militantëve që i shërbejnë pushtetit.
Heshtja e tyre nuk është thjesht mungesë zëri; është pranim i të keqes. Sepse kur sheh padrejtësinë dhe zgjedh të mos flasësh, bëhesh pjesë e saj. Dhe sot, ata nuk janë thjesht figura publike. Ata janë fasada që mbron korrupsionin, duke dhënë fytyrën e tyre për të zbukuruar një realitet të shëmtuar, që shumica e qytetarëve e përjeton përditë në formën e padrejtësisë, varfërisë dhe dhunës sistematike.
Nuk ka justifikime për heshtjen. Nuk ka arsyetime për bashkëpunimin. Ata, që kanë zgjedhur të heshtin para padrejtësisë, duhet të përgjigjen sot, jo vetëm para publikut, por edhe para ndërgjegjes së tyre, nëse ende ekziston.
Sepse të kesh një zë dhe të mos e përdorësh për të luftuar të keqen, është tradhti ndaj atyre që nuk kanë zë. Ata sot duhet të akuzohen jo për mbështetje politike, por për tradhti ndaj shpresës, ndaj drejtësisë dhe ndaj një kombi që ende kërkon të besojë se ka të ardhme.
Të heshtësh përballë të keqes, është të bëhesh njësh me të. Dhe për këtë, historia nuk fal.