Genc Sejko
Dhe në ditën e tretë të një ngjarjeje në kufijtë e tragjikes, të gjithë heshtin. Tentativa për vetëvrasje e Azbi Spahiut tashmë është një temë tabu për të cilën nuk kujtohet më askush. E harroi ministri i Brendshëm që kishte për detyrë i pari të niste një hetim për zbardhjen e ngjarjes. E harroi dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, që duhet të merrte masa urgjente për këtë rast. Nuk e përmendi kurrë politika (opozita), që së paku duhet të na tregonte se është ndryshe nga këta që kemi sipër kokës. E braktisi media, ajo tradicionalja, ajo e madhja me miliona klikime dhe sponsorizime. U kujtua veç familja e Azbiut, që lëshoi me nxitim një deklaratë të frikësuar dhe pastaj heshti edhe ajo duke u përgjëruar që Azbiu të kthehej sa më shpejt në punë.
Është e vërtetë që familja e oficerit të policisë dhe dhimbja që po kalon duhet respektuar. Por jam i bindur që dhe e vërteta meriton të njëjtin respekt. Si mundet të kalojë në heshtje dhe pa asnjë hetim një ngjarje ku përfshihet djali i një oligarku dhe një polic në tentativë vetëvrasje? Ku është prokuroria? Policia? Ministria e Brendshme? Po opozita? Mbi të gjitha pse heshti media me shumë pak përjashtime?
Të gjithë bashkë paskan pritur (dhe nxitur) që familja e Azbiut të reagojë për të larë duart me ngjarjen dhe përgjegjësit e saj. Me gjithë respektin, por familja e një oficeri policie nuk është as organ hetimor e aq më pak gjykatë që vendos se kush e mban përgjegjësinë. Këtë e vendos shteti i së drejtës dhe jo lekët e oligarkëve apo interesat e ministrave të brendshëm kushdo qofshin ata.
Por në këtë vend për fat të keq e vërteta shitet në “ankandin” e atij që jep çmimin më të lartë. Siç ndodhi edhe në këtë rast, ku lekët e oligarkëve dhe interesat e ministrave u përplasën për të shkaktuar një viktimë të pafajshme. E më tej paguan lart e poshtë për të mbyllur ato pak gojë që folën për ngjarjen. Dhe për fatin tonë të keq ia dolën. Sepse jetojmë në një vend ku e vërteta shitet lirë ose shtrenjtë sipas pazarit. E për pazarxhinjtë, jeta e një njeriu të zakonshëm ka vetëm vlerën e parasë!