GËZIM TUSHI
Akoma nuk është qetësuar atmosfera post elektorale në Shqipëri. Një situatë sociologjikisht tipike, monotone për zgjedhjet që bëhen në këtë vend, atmosferën sociale dhe praninë e reagimeve dikotomike, të papajtueshme midis fitimtarit dhe humbësit. Në media më shumë por edhe në opinionin publik më pak, ndihen efektet e dikotomisë morale të raporteve fitore-humbje. Kjo është arsyeja pse e gjithë periudha postzgjedhore, ka qenë e paqetë, tejet turbulente për pozitën ekzistencialisht të vështirë të opozitës, dhe përpjekjet e saj këmbëngulëse për të justifikuar humbjen e 11 majit. Përgjithësisht me faktorë të natyrave të ndryshme ligjore, proceduarale e ekstra elektorale. Mendoj se është absolutisht qëndrim pozitiv, fakti që ata që kanë fituar këto zgjedhje politike nuk kanë shfaqur nuanca të qëndrimit triumfalist, nuk kanë demonstruar karshillëk ekzibicional.
Por sigurisht është i natyrshëm hidhërimi i humbjes elektorale, por ajo që nuk është e natyrshme, është kërkimi i shkaqeve jo në “vendin e duhur” por në vendin e gabuar. Metaforikisht kjo është si të kërkosh çelësin jo aty ku të humbi, por në vendin ku ka dritë. Kjo është arsyeja pse është angazhuar e gjitha trupa eminente e opozitës, në betejën e saj për të denoncuar parregullsitë apo për të justifikuar humbjen. I gjithi diskursi opozitar i pas zgjedhjeve është pasionant, i hidhëruar, por jo aq mbushamendës, për të bindur njerëzit se rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të ishte radikalisht i ndryshëm nga ai që “prodhuan” kutitë e zgjedhjeve të 11 majit. E kam ndjekur me kujdes dhe jam mundur me objektivitet të gjej substancë të vërtetë, argumente të qëndrueshme tek aksioni kontestues i opozitës, por ato më duken të pakta, të pamjaftueshme për të justifikuar ngritjen e një lloj casus belli elektoral. Rezultatet tregojnë tjetër gjë.
Nuk është normale të mos kuptosh dhe pranosh se humbjet enumerative në zgjedhjet elektorale, janë një tregues që vërteton se “shëndeti i opozitës” nuk është i mirë. Madje më duket, se nëse vazhdon me këtë optikë të gjykimit të gjynaheve, duke i kërkuar ato jashtë vetes, do të thotë se analiza e saj ndodhet në një “pikë të vdekur”. Opozita duhet të reflektojë për shumë gjëra brenda saj, për zbehjen e besueshmërisë politike dhe atraksionit elektoral, për politikanët që ka në lidershipin aktualisht dhe sidomos të ndërgjegjësohet për të gjetur ata që i duhen dhe për të cilët ka nevojë për të ardhmen e saj. As fasada e unitetit dhe as gjykimet unike dhe qëndrimet solidarizuese e uniforme brenda vetes së saj, nuk janë rruga e duhur, mënyra inteligjente për të dalë nga kjo gjendje dhe për të gjetur rrugën e fitores në të ardhmen. Politikanët e opozitës duhet të bëhen të përgjegjshëm, për të kuptuar sa të aftë janë që t’i binden kërkesave të dinamikës politike.
Në debatin publik postelektoral të opozitës, mungojnë analizat e sakta të humbjes, kthimin e tyre në objekt debat të brendshëm dhe publik, duke e adresuar atë subjektivisht si ngjarje që lidhet me përgjegjësi jashtë vetes. Për pasojë argumentet që përdoren të paktën në ligjërimin publik e mediatik, nuk janë fort të besueshme për të justifikuar ngritjen e “kauzës post elektorale”. Kjo nga që nuk janë argumente me peshë, më shumë janë pretendime ose anësore e sipërfaqësore, të pamjaftueshme për të justifikuar humbjen. Opozita duhet ta vlerësojë humbjen, të njohë shkaqet e saj me objektivitet, në mënyrë prioritare të mendojë për dinjitetin aktual dhe të ardhmen politike të saj. Personalisht mendoj se është e gabuar rruga e reduktimit të opozitës dhe rolit të saj thjesht në retorika e debate, që pa e kuptuar e reduktojnë rolin e saj, duke perifrazuar B. Obamën thjesht në “parti të kundërpërgjigjes”. Një rol krejt i pamjaftueshëm për të justifikuar statusin, gjendjen aktuale të saj.
Vlera e lidershipit të opozitës është e lidhur jo aq me “kundërpërgjigjet”, që me sa duket nuk e ndryshojnë rezultatin, por me aftësinë e tyre për të gjetur shkaqet dhe “shëruar plagët” e kësaj historie, natyrisht shumë e dhimbshme për opozitën. Hiperbolizimi i shkaqeve herë të paqëna e herë të pamjaftueshme, nuk mjaftojnë për të justifikuar humbjen. Madje nuk besoj se do ketë vlerë as retorika e fajësimit reciprok pozitë-opozitë. Nuk besoj se është negativiteti radikal i opozitës, karta e duhur që duhet luajtur për të justifikuar humbjen dhe njëherësh për të afirmuar veten. Besoj se këto modele të vjetra të reflektimeve justifikuese postzgjedhore duhen kapërcyer. Një imperativ i domosdoshëm, nëse opozita me të vërtetë kërkon të “zgjohet nga gjumi” dhe të gjejë veten.
Edhe pse do të hapen shumë kuti votimi, të pretenduara për parregullsi e shkelje të Kodit Elektoral, një gjë është e sigurt, që strategjikisht pasoja elektorale është e paktyeshme. Pavarësisht këtyre, 11 maji është një “dush i ftohtë” për opozitën shqiptare, por dhe një shans që të kuptojë shkaqet e vërteta e të nxjerrë mësimet e duhura. Duke u nisur nga fakti që opozita ka 12 vite që dështon, kjo politikisht nuk është ngjarje e vogël për të. Dhe ngjarjet e mëdha politike, nuk mund të analizohen nga njerëz të vegjël, me horizont të ngushtë militantesk. Opozita ka ngërçet e saj brenda vetes, që kanë krijuar probleme dhe konfuzion. Mbi të gjitha ajo ka dilemën dhe konceptin e mbrojtjes me çdo kusht të lidershipit të saj, duke i atribuar atyre statusin e “pagabueshmërisë papnore”. Jemi në kohë moderne, e cila nuk e ka shumë për zemër idenë e “liderit karizmatik” apo hipertrofinë e egos edhe kur rezultatet dhe dështimet janë të pamjaftueshme për ekzistencën e tyre. Këtë situatë e ka analizuar fare mirë ish-presidenti i Francës Nikola Sarkozy, sipas të cilit “gjëja më e gabuar në drejtimin politik, është pikërisht kur mendon se shkak për dështimin janë të tjerët”.
Motivet e fushatës kontestuese janë të turbullta, të paqarta për të zbuluar shkaqet e vërteta të humbjes. Lidershipi i opozitës me sa duket niset nga sentenca e njohur politike e politologut amerikan John Rawls, sipas të cilit “që të ekzistosh duhet të konfrontohesh”. Në këto kushte, sado “luftarak” të jetë ky debat, kjo përplasje, ai është inkoherent me atë që ka ndodhur dhe që nuk mund të ndryshojë “de profundisin” e këtyre zgjedhjeve.
Por le të shikojmë pak problemin në mënyrë më të përgjithshme lidhur me raportet fitimtar-humbës apo pozitë-opozitë. Në këtë kontekst politikisht dhe sociologjikisht problemi i situatës postzgjedhore dhe këmbënguljes së opozitës për mosnjohjen e rezultatit elektoral, për mendimin tim duhet parë me një optikë më të gjerë kontekstuale, politologjik isht më gjithpërfshirëse, sepse situatat që zhvillohen aktualisht në politikën shqiptare lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me një gjë të madhe, që është përtej reperkursioneve të këtij evenimenti, me statusin e zhvillimit dhe pjekurisë së demokracisë tonë. Kemi tre dekada e gjysmë që në Shqipëri bëhen zgjedhje të përgjithshme qoftë politike parlamentare apo për pushtetin lokal. Historia e zgjedhjeve për fat të keq tregon se asnjëherë politikisht nuk kemi pranuar, qetësisht dhe qytetarisht rezultatin dhe mbi të gjitha, akoma nuk kemi arritur pranimin konsensual të statusit midis fituesit dhe humbësit.
Gjithnjë zgjedhjet janë shoqëruar me kontestime reciproke, me akuza të ndërsjellta për vjedhje e manipulim votash, për përdorim abuziv të mjeteve dhe administratës publike, për intervenim të njerëzve të botës së krimit në ndryshimin e rezultatit, etj. Nuk e kam fjalën vetëm për rastin aktual të pas 11 majit, që për ne shqiptarët është “zakon politik i radhës, publikisht monoton, si ngjarje e pritur, si sebep që do të sillte këtë situatë të papajtueshme dhe konfliktuale midis fituesit dhe humbësit.
Fjala është që akoma në Shqipëri në këto 35 vjet demokraci, akoma nuk po stabilizohet një nga bazat themelore të rendit kushtetues, që ka të bëjë me atë që në politologji njihet si “luajaliteti” midis pozitës dhe opozitës. Debati dhe kontestimet e vazhduara postzgjedhore, janë bërë gjithnjë pengesë serioze për zhvillimin e demokracisë dhe plotësimin e kushteve normale për qeverisjen e duhur të vendit. Është fare e papranueshme që jemi akoma në “fazën foshnjore”, të shfaqjeve të bujshme e banale të raporteve konflituale e sjelljeve politikisht agresive midis pozitës dhe opozitës.
Duke qenë kështu akoma larg standardit qytetar politikisht të qytetëruar, larg demokracisë normale, në të cilën pozita (fituesi) dhe opozita luajale (humbësi) të bien dakord dhe pranojnë rezultatin mbi baza kushtetuese, si rruga e duhur që i jep qeverisë legjitimitet në synimet e veta dhe opozitës luajalitet në veprimtarinë si opozitë. Kjo që po ndodh edhe tani pas 11 majit në Shqipëri, është një moment që nuk i shërben normalitetit demokratik. Vetëm kur luajaliteti i të dyjave (pozitëopozitë) është i fortë, atëherë e kemi demokracinë dhe rendin kushtetues funksional dhe të garantuar.
Sidoqoftë njerëzit mësojnë edhe nga suksesi edhe nga dështimi. Por besoj se tani është urgjente që opozita të ngrihet mbi veten, ta dalë përtej inateve politike empirike pa rrugëdalje, të nxjerrë mësimet e duhura nga dështimi i 11 majit. Sipas mendimit tim dy janë mësimet: E para opozitë nuk do të thotë thjesht parti e kundërpërgjigjes, dhe e dyta opozita e përçarë e ka të pamundur fitoren!