Celulari që tronditi burgun: Hetim i fshehtë për përfshirjen e një të dënuari në fushatën zgjedhore
Një hetim i pazakontë dhe i mbajtur nën sekret të plotë është duke u zhvilluar nga autoritetet shqiptare, pas sekuestrimit të një celulari në burgun e sigurisë së lartë. Lajmi u bë i ditur nga gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në MCN TV, e cila zbuloi se pajisja e kapur i përkiste një të dënuari që dyshohet se ka qenë i përfshirë në fushatën e një force politike.
“Njëri nga hetimet ka nisur nga sekuestrimi i një celulari në burgun e sigurisë së lartë. Ka dyshime të arsyeshme, është një hetim që po mbahet në sekret të plotë që ka derivuar nga sekuestrimi i një celulari ku rezulton se i dënuari ishte i përfshirë në fushatën e një force politike,” – tha Lala.
Sipas saj, hetimi ngre dyshime të forta se i dënuari mund të ketë ofruar para ose ushtruar presion gjatë fushatës zgjedhore, një zhvillim që do të përbënte një precedent të rrezikshëm dhe të paprecedentë në kuadrin elektoral të vendit.
“Është hera e parë që kemi të bëjmë me një rast të tillë, ku një i burgosur me masë sigurie të lartë përfshihet në një veprimtari politike. Duhet parë se çfarë do të sjellë hetimi në ditët dhe javët në vijim,” – u shpreh gazetarja.
Ngjarja ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë në institucionet penitenciare, si dhe mbi ndërhyrjet e mundshme politike brenda sistemit penal. Nëse dyshimet konfirmohen, kjo mund të çojë në një skandal madhor për përfshirjen e elementëve kriminalë në fushatat zgjedhore. Autoritetet deri më tani nuk kanë bërë deklarata zyrtare, ndërsa hetimi vazhdon në heshtje.