I shumëkërkuari Florenc Çapja ekstradohet sot drejt Shqipërisë

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se pasditen e sotme do të finalizojë me sukses ekstradimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe të Florenc Çapjes, 44 vjeç, një nga personat më të kërkuar ndërkombëtarisht nga drejtësia shqiptare.

Pritet që ai të mbërrij në aeroportin e Rinasit ditën e sotme rreth orës 16:00.

Sipas njoftimit zyrtar, ekstradimi i Çapjas është bërë i mundur falë shkëmbimit të informacionit operativ ndërmjet strukturave të specializuara dhe agjencive të huaja ligjzbatuese.

Çapja ndodhej në Dubai prej rreth 8 vitesh ku jetonte i pashqetësuar, ndërsa pas kthimit në Shqipëri do të vendoset në një burg të sigurisë së lartë për të vuajtur dënimin përjetë.

44-vjeçari Florenc Çapja është nipi i Ardian Çapjas, i cili është kreu i një grupi të njohur kriminal në qytetin e Elbasanit, i cili ka pasur përplasje me grupin e një tjetër personazhi të njohur të botës së krimit, Suel Çela.

Çapja është i akuzuar nga SPAK si porositës i vrasjes në 2012 të babë e bir Nezir dhe Gentian Beqirit në Elbasan.

Publikuar nga Publik Media