Një shpërthim me lëndë plasëse, tritol, është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Toç, ku është dëmtuar banesa e administratorit të Njësisë Administrative Qesarat, Butjan Kapa.
Sipas informacioneve paraprake, autorët dyshohet të kenë qenë dy persona, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje me një automjet tip “Range Rover”. Pas vendosjes së lëndës plasëse në oborrin e banesës, ata janë larguar në drejtim të aksit rrugor “Krahës–Memaliaj”.
Më pas, në afërsi të fshatit Qesarat, autorët dyshohet se kanë djegur automjetin që përdorën dhe janë larguar në këmbë, duke humbur gjurmët.
Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale, kryesisht në disa dritare të banesës, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Vetë Butjan Kapa ka deklaruar se nuk dyshon që ngjarja të ketë lidhje me detyrën e tij si administrator apo me angazhimin politik, duke theksuar se nuk ka konflikte të hapura me askënd. Ai ka treguar gjithashtu se pak para shpërthimit kishte vënë re se qeni lehte vazhdimisht, ndërsa kishte tentuar të dilte jashtë për të parë çfarë po ndodhte, por ishte ndaluar nga bashkëshortja.
Në njoftimin zyrtar, policia bëri me dije se:
“Më datë 06.04.2026, rreth orës 00:10, në oborrin e banesës së shtetasit B. K., 67 vjeç, në fshatin Toç, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Autori/autorët, gjatë largimit, në aksin rrugor “Krahës–Memaliaj”, në afërsi të fshatit Qesarat, dyshohet se kanë djegur automjetin me të cilin lëviznin dhe më pas janë larguar në këmbë.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin e zonës për lokalizimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon intensivisht veprimet hetimore për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet e këtij sulmi dhe për identifikimin e autorëve.







