PD ka nevojë për një analizë të vërtetë përgjegjësia shkon lart
Në zgjedhjet e 11 majit, ndërsa Partia Demokratike shënoi një tjetër humbje të thellë, një emër doli mbi zhurmën e dështimit: Ilir Alimehmeti. Kandidati që mori mijëra vota në Tiranë, por që mbeti jashtë Kuvendit për shkak të një skeme të deformuar përzgjedhjeje, sot shihet nga shumë demokratë si fituesi moral i betejës elektorale.
Në një intervistë për emisionin “Të Pashoq”, Alimehmeti nuk kurseu kritikat dhe as nuk u përpoq të ruante balancën politike – ai foli troç për krizën në PD, përgjegjësinë që nis nga vetë Sali Berisha dhe domosdoshmërinë për një analizë të thellë që të shkojë përtej numrave.
“Në vitin 2025 kemi të njëjtat probleme si çdo herë tjetër. OSBE nuk thotë më ‘na është raportuar’, por ‘kemi dëshmuar’. Pra kanë parë vetë sesi zgjedhjet nuk janë të barabarta”, – tha ai.
Alimehmeti ngriti gishtin edhe drejt strukturave të partisë që, sipas tij, nuk përfaqësojnë më frymën që kërkojnë demokratët. Lista me kandidatë të panjohur apo të pamerituar, sipas tij, ka dëmtuar jo vetëm rezultatin, por edhe besimin tek opozita.
“Pse unë nuk i humba votat? Ju nuk e dini sa vota kam pasur realisht… A ka përgjegjësi? Patjetër që ka – dhe ajo shkon lart”, u shpreh ai me një mesazh të qartë për lidershipin.
Në mënyrë të tërthortë, por të qartë, Alimehmeti nuk i kurseu as pyetjet mbi rolin e Sali Berishës në këtë humbje: që nga manipulimi i listave, e deri te paaftësia për të menaxhuar frymën opozitare pas datës 12 mars, kur lista për Tiranën u ndryshua në mënyrë të njëanshme.
“Fatkeqësisht, kur u hapën listat pati një pakënaqësi që e solli fushatën mbrapa në kohë. Pavarësisht gjithë përpjekjeve, nuk u rikthye dot fryma e mëparshme.”
Alimehmeti kërkoi që analiza e humbjes të mos kufizohet në justifikime teknike apo fajësime ndaj kundërshtarit politik, por të jetë një rishikim i thellë i brendshëm, me pasojë konkrete: ata që kanë përgjegjësi, të bëjnë një hap pas.
“Në çdo organizatë serioze, kush ka përgjegjësi, largohet. Kush ka meritë, ecën përpara.”
Fjalët e Ilir Alimehmetit janë më shumë sesa një reflektim personal , ato janë një thirrje për reformim të thellë në opozitë, në një kohë kur PD ndodhet në pikën më kritike të ekzistencës së saj politike. Nëse do të ketë një të ardhme, ajo nuk mund të ndërtohet mbi dështime të përsëritura dhe figura që refuzojnë të mbajnë përgjegjësi.