Landi Çela
Ka diçka gati ironike në rikthimin ciklik të idesë së një poli të tretë në politikën shqiptare. Një koncept që shfaqet çdo herë kur një segment i elektoratit ndihet i zhgënjyer nga dyshja e përhershme, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, dhe kur disa figura të reja përpiqen të bëjnë zhurmë në emër të një alternative ndryshe. Kjo ide, për më shumë se dy dekada, ka prodhuar më shumë shpresa të thyera sesa rezultate konkrete.
Zhvillimet e fundit, me pesë subjektet e reja të drejtuara nga Arlind Qori, Endri Shabani, Adriatik Lapaj, Enkelejd Alibeaj dhe Agron Shehaj, ngjajnë si një déjà vu politike. Nga njëra anë, kemi individë që artikulojnë kundërshtinë ndaj politikës së vjetër, ndërsa nga ana tjetër shohim një betejë të vazhdueshme për të bindur një elektorat gjithnjë e më indiferent, se këto forca janë diçka më shumë sesa thjesht hijet e së shkuarës.
Çfarë i bashkon dhe çfarë i ndan?
Deklaratat e përbashkëta kundër “politikës së vjetër” janë të mjaftueshme për të krijuar një fabul premtuese. Nga sulmet ndaj Berishës dhe Ramës, deri te thirrjet për një drejtësi të re dhe një besim te SPAK-u, këta liderë pretendojnë se përfaqësojnë një kthesë cilësore. Por, realiteti i përbashkët është se të paktën dy prej tyre, Alibeaj dhe Shehaj, janë produkte të po asaj politike që kritikojnë. Të vetmet gjëra që i diferencojnë nga liderët e vjetër janë mosha dhe retorika populiste që shpesh përdoret për të mbuluar mungesën e një plani të qartë politik.
Nga ana tjetër, sfida e tyre më e madhe mbetet mungesa e një platforme unifikuese. Në vend që të shfaqen si një grupim koherent, këto subjekte shpesh ngjajnë si ishuj të ndarë, ku secili përpiqet të maksimizojë zërin e tij në mënyrë individuale. Në një sistem proporcional me lista kombëtare, kjo është recetë e sigurt për dështim.
Mësimet nga e shkuara
Historia politike shqiptare na ka treguar se krijimi i një poli të tretë kërkon më shumë sesa retorikë të zgjuar dhe liderë të rinj. Në vitet 2000, ideja e një poli të tretë u përdor kryesisht si mjet për të shtuar pazaret politike të të vegjëlve, dhe jo si një përpjekje serioze për të sfiduar sistemin bipolar. Edhe në rastin e LSI-së, e cila u shfaq si një forcë e pavarur, përfundimi ishte një simbiozë me pushtetin, që e ktheu atë nga një alternativë në një prej shtyllave të sistemit të vjetër.
Çfarë ndodh në 2025?
Me zgjedhjet e 11 majit në horizont, këto subjekte kanë një shans historik për të bërë atë që shumë të tjerë nuk e kanë arritur: krijimin e një poli real të tretë. Por ky shans mund të shfrytëzohet vetëm nëse këto forca arrijnë të bashkohen dhe të paraqesin një ofertë të unifikuar për elektoratin gri, i cili përbën deri në 40% të votuesve. Në të kundërt, do të kemi një tjetër cikël dështimesh, ku votat e tyre shpërndahen dhe përfundojnë duke forcuar pikërisht ata që pretendojnë se i kundërshtojnë.
Nëse këto forca nuk arrijnë të bashkohen dhe të maksimalizojnë fuqinë e tyre politike, atëherë do të kemi një përsëritje të së shkuarës. Ata do të zhduken nga skena politike brenda disa viteve, duke lënë vend për gjeneratën e radhës që do të provojë të njëjtën gjë me të njëjtin rezultat.
Në politikën shqiptare, “pol i tretë” shpeshherë është sinonim i një iluzioni të bukur. Pyetja e vërtetë është: a janë këto pesë subjekte të gatshme ta thyejnë këtë mit? Apo do të përfundojnë si pionierët e mëparshëm, duke u kthyer në satelitë të sistemit që pretendojnë se luftojnë?