A po fsheh statistika realitetin?
Ushqimet bazë u rritën prapë
Çmimet rriten, faturat rëndohen, por shqiptarët… thjesht përshtaten. Inflacioni për muajin shkurt mbeti në të njëjtin nivel si në janar, me një normë vjetore prej 1.9%. Duket një shifër e përmbajtur, apo jo? Por pas këtyre përqindjeve të qeta fshihet realiteti i përditshëm: një shportë ushqimesh gjithnjë e më e shtrenjtë dhe një popull që vazhdon të paguajë pa bërë zë.
Sipas INSTAT-it, qytetarët po shpenzojnë më shumë për gjithçka që ka të bëjë me jetesën e përditshme: ushqime, qira, mirëmbajtje shtëpie, veshje e madje edhe argëtim (në rast se u mbeten para për këtë luks). Ushqimet vazhdojnë të jenë “kampionët” e inflacionit, me një rritje të çmimeve prej 2.8%. Në krye të listës? Mishi, me një rritje prej 4%, i ndjekur nga zarzavatet me 3.2% dhe produktet e bulmetit me 2.8%.
Dhe ndërsa shporta ushqimore rëndohet, shqiptarët nuk e ndiejnë të nevojshme të shprehin pakënaqësinë e tyre. Protestat janë një sport i harruar, ose një event ekskluziv për fushatat elektorale. Për momentin, zgjidhja e vetme mbetet ajo tradicionale: më pak mish, më shumë makarona.
Nëse situata vazhdon kështu, nuk do të vonojë dita kur buka do të trajtohet si delikatesë dhe kafja në lokal si luks i tepruar. Por përderisa qetësia mbizotëron dhe askush nuk pyet “pse?”, tregu do të vazhdojë të bëjë atë që di më mirë: të rrisë çmimet. Dhe shqiptarët, si gjithmonë, do të përshtaten.
Inflacioni vjetor në Shqipëri për muajin shkurt mbeti i pandryshuar në 1.9%, sipas të dhënave të INSTAT. Në shikim të parë, ky tregues duket një sinjal i qëndrueshmërisë ekonomike dhe i kontrollit të çmimeve. Por, një analizë më e thellë zbulon një realitet më kompleks dhe shqetësues: çmimet e ushqimeve dhe shërbimeve bazë vazhdojnë të rriten, duke goditur drejtpërdrejt konsumatorin e zakonshëm.
Rritje e pashmangshme e kostove të jetesës
Një ndër grupet më të rëndësishme për konsumatorin, “Ushqime dhe pije joalkoolike”, shënoi rritje inflacioni në 2.8% nga 2.6% në janar. Ky është një sinjal i qartë se, pavarësisht se inflacioni i përgjithshëm duket i ulët, shporta bazë e konsumatorit shqiptar po rëndohet me kosto gjithnjë e më të larta. Rritja e çmimeve të ushqimeve prek drejtpërdrejt shtresat e ulëta dhe të mesme të popullsisë, duke ulur fuqinë e tyre blerëse.
Në të njëjtën kohë, grupi “Pije alkoolike dhe duhan” pësoi rritje të inflacionit në 4.5%, nga 3.9% në janar, ndërsa “Argëtim dhe kulturë” arriti në 6.5%, një rritje e konsiderueshme nga 4.9% e vitit të kaluar. Këto tendenca tregojnë qartë se segmentet që prekin mënyrën e jetesës po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta.
Paradoxi i inflacionit të ulët: Statistika kundër realitetit
A është vërtet inflacioni në nivelin e deklaruar? Edhe pse të dhënat zyrtare tregojnë një ulje të inflacionit në disa grupe, për shumicën e qytetarëve, kjo nuk reflekton realitetin e përditshëm. Çmimet e ushqimeve vazhdojnë të jenë të larta, energjia elektrike dhe qiratë ndonëse në rënie, nuk kanë sjellë një lehtësim të dukshëm në xhepat e qytetarëve.
Ndërkohë, sektori i transportit, që ndihmoi në balancimin e inflacionit falë uljes së çmimeve të karburanteve, ka filluar sërish një tendencë rritëse. Me një rritje në 2.2% nga 2.5% e janarit, perspektiva nuk është aspak optimiste.
Politikat ekonomike në qorrsokak?
Në vend që të përqendrohet tek shifrat e bukura të inflacionit të ulët, qeveria duhet të fokusohet në politikat që ndihmojnë qytetarët në jetën e përditshme. Kjo kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të mbajtur nën kontroll rritjen e çmimeve të ushqimeve, qoftë përmes subvencioneve për prodhimin vendas, qoftë përmes mekanizmave më efektivë të rregullimit të tregut.
Nëse këto politika nuk ndërmerren në kohë, atëherë inflacioni i ulët në letër do të mbetet një statistikë mashtruese, ndërsa shqiptarët do të përballen me një realitet të hidhur: një ekonomi ku gjithçka kushton më shumë, ndërsa rrogat dhe fuqia blerëse mbeten të pandryshuara.