Instagrami i Luizit shkakton debat pasivo-agresiv mes familjarëve të tij dhe Kiarës

Instagrami i Luiz Ejllit ka shkaktuar sërish debat, këtë herë mes familjarëve të tij dhe Kiarës.

Orë më parë, Kiara njoftoi se ka hapur një Instagram në emër të Luizit; një llogari e cila do të menaxhohet nga ajo derisa Luizi të dalë nga shtëpia e “Big Brother VIP Albania”. Para se Kiara të largohej nga BBVA, Luizi ia ka shprehur disa herë që dëshiron që me profilin e tij në Instagram të merret ajo.

Në profilin e ri, shkruhet:

“Të dashur mbështetës të Luizit që nga dita e parë, ju njoftojmë se ky është i VETMI Instagram zyrtar i Luizit. Siç edhe mund ta keni ndjekur, Luizi ka kërkuar që Instagrami i tij të menaxhohet nga Kiara, përsa kohë ai është ende brenda në shtëpinë e Big Brother, edhe kështu do të ndodhë. Faleminderit për gjithë mbështetjen e treguar deri më tani!
Me Luizin fitues!”

Llogaria e re se është shpërndarë nga personazhe të njohur të cilët mbeshtesin Luizin në “Big Brother”, përfshirë edhe miqtë e tij të ngushtë, Jon Ndoja dhe Mario Deda. Në më pak se 24 orë, llogaria numëron mbi 230,000 ndjekës.

Llogaria e Luizit në Instagram është një tematikë shumë e diskutuar jashtë “BBVA” dhe dy javë më parë, në një video ekskluzive për “Big Brother Fun Club”, Luizi thotë se do që llogarinë e tij ta menaxhojë Top Channel. Ai pyetet nëse do që ta menaxhojë motra e tij apo familja llogarinë dhe nuk pranon.

“Jo, jo, merru ti. Vazhdo merru ti. Nëse s’merreni ju (Top Channel), le të vazhdojnë të merret ajo (Jurgena, vajza që menaxhonte llogarinë e Luizit në Instagram)”. Luizi më pas thotë se dëshiron që të merret vetëm Top Channel, siç ka folur dhe siç ka nënshkruar dhe shtoi se i beson menaxhimit të personit me të cilin komunikoi në dhomën e rrëfimit.

Instagram-i i mëparshëm i Luizit, me afro 700,000 ndjekës, pësoi një sërë ndryshimesh dhe u bë pjesë e shumë teorive në rrjet. Së pari, iu ndryshua emri dhe nga Luiz Ejlli në Ina Ejlli, emri i motrës së Luizit. Më pas, Sokol Tahiri, kunati i Luizit njoftoi se llogaria dhe të drejtat në lidhje me administrimin dhe emrin e Luizit, i kanë kaluar Top Channel:

“(Se) në çfarë forme dhe akti juridik është kryer kjo, mua nuk më është komunikuar ndonjë dokument. Megjithatë, në gjithë këtë histori, e rëndësishme është që ne të mbështesim Luizin dhe të shijojmë lojën e tij. Pastaj, kur të përfundojë loja, do të sqarohen roli dhe qëllimi i secilës palë,” tha ai ndër të tjera.

Publikuar nga Publik Media