publik.al – Një nga skemat më të mëdha të zhvatjes së pasurisë publike në Shqipëri, afera e Bankers Petroleum, po merr përmasa edhe më tronditëse pas arrestimit të Ardit Keros – ish-bashkëshorti i moderatores së njohur Arbana Osmani. Sipas burimeve nga Policia e Fierit, Kero rezulton të jetë ideatori dhe zbatuesi kryesor i një skeme të sofistikuar evazioni fiskal dhe pastrimi parash, që përfshin dhjetëra milionë euro dhe ka funksionuar prej më shumë se dy dekadash.
Kush është Ardit Kero?
I njohur deri më sot në opinionin publik për lidhjen e mëparshme me figurën televizive Arbana Osmani, Ardit Kero ka qenë për vite me radhë shef i financës në kompaninë “Bankers Petroleum Albania”. Hetimet e Prokurorisë së Fierit e identifikojnë atë si “trurin financiar” të të gjithë operacionit të mashtrimit që kjo kompani ka zhvilluar në Shqipëri – duke fryrë shpenzimet, duke shmangur taksat dhe duke përfituar ilegalisht rimbursime nga TVSH-ja.
“Kero është njeriu kyç që ka mundësuar për vite të tëra fryrjen e bilanceve dhe manipulimin e të dhënave financiare për të shmangur taksimin dhe për të zhdukur miliarda euro nga nafta shqiptare,” – thotë një burim hetimor për publik.al.
Një sistem kriminal i ndërtuar për të vjedhur Shqipërinë
Sipas dosjes hetimore, nga shitja e naftës në zonën e Patos-Marinzës, kompania ka arkëtuar mbi 4 miliardë euro, ndërkohë që kontributi i saj në buxhetin e shtetit është minimal – një abuzim masiv që ndodh në një nga sektorët më jetikë të ekonomisë shqiptare.
Ardit Kero ka qenë njeriu më i besuar i drejtuesve të huaj të kompanisë, që nga kanadezët e deri tek kinezët që më vonë blenë “Bankers”. Ai përfaqëson hallkën më të rëndësishme të korrupsionit sistematik që i është bërë shtetit shqiptar nën hundën e institucioneve.
Kush janë hajdutët e vërtetë të naftës?
Grupi kriminal, i identifikuar nga hetimet, përfshin:
-
Ardit Kero, truri financiar
-
Hongping Xiao, drejtori aktual me një pagë vjetore prej 1 milion euro
-
Ish-drejtuesit: Leonidha
Çobo, Qing Fang, Xingyun Sun, Suneel Krishan Gupta, Jonathan Paul Harris, Chang Zhong Xu, Linaghong He, Feng Qin
Të gjithë këta emra kanë ndërtuar për vite me radhë një skemë të njëjtë: fryrje shpenzimesh, shmangie taksash, deklarim fiktiv humbjesh, evazion masiv dhe transferim i fitimeve në parajsa fiskale.
Pse Bankers nuk paguan as taksa, as gjoba?
Skandali thellohet me faktin se Bankers jo vetëm nuk ka paguar tatim fitimi real për dekada, por edhe gjoba prej 100 milionë euro, e vendosur nga Gjykata e Lartë, është bllokuar me ndërhyrje politike. Konkretisht, ish-ministrja e Financave, Anila Denaj, ka refuzuar ekzekutimin e gjobës, duke e mbrojtur praktikisht këtë megaskemë abuzimi.
Pronarë anonimë dhe pasuri të fshehura në ofshore
Bankers është një kompani që operon në Shqipëri, por ka strukturë pronësie të errët dhe të fragmentuar:
- E regjistruar fillimisht në Ishujt Cayman.
- Kalon nëpërmjet një zinxhiri kompanish guackë në Kanada, Hong Kong dhe më pas në Kinë.
- Pronari përfundimtar nuk dihet – janë deklaruar vetëm kode numerike pa emra, në kundërshtim me ligjin shqiptar për pronarët përfitues.
“Ligji shqiptar e detyron Bankers të zbulojë pronarin përfitues, por kompania fshihet pas numrave dhe nuk pyet për shtetin shqiptar,” – thuhet në raportin hetimor.
Drejtori i kompanisë mëmë që kontrollon Bankers përmes kompanive guackë është një emër i panjohur për publikun: Huan Long Chen, ndërsa bordi përfshin individë si Jie Huang, Wen Tao Wang, Yi Guo dhe të tjerë – të gjithë të lidhur me kompaninë kineze Geo-Jade Petroleum Corporation.
Afera që tradhton çdo shqiptar
Afera e Bankers Petroleum është një nga format më të pastra të tradhtisë ndaj interesit publik. Një kompani që ka shfrytëzuar për 20 vite pasurinë më të rëndësishme të vendit – naftën – pa dhënë thuajse asgjë mbrapsht. Me ndihmën e një klase të korruptuar drejtuesish dhe me heshtjen e qëllimshme të institucioneve, Shqipëria është zhytur në një skemë që i ka kushtuar miliarda euro dhe ka lënë komunitete të tëra në varfëri, ndotje dhe mjerim.
Arrestimi i Ardit Keros është vetëm një fillim. Ky nuk është një rast teknik fiskal – është një krim ekonomik i qëllimshëm, i organizuar, i mbështetur nga kupola politike dhe i mbuluar nga heshtja e drejtësisë për vite me radhë.