Ish-prokurori Beci: Qeveria bleu zgjedhjet me VKM e leje ndërtimi, SPAK s’e ndali

Ish prokurori, Eugen Beci nga studioja e “Kafe Shqeto”, ka komentuar me tone kritike rolin e prokurorisë dhe institucioneve shtetërore në procesin zgjedhor, duke vënë theksin te përdorimi politik i mekanizmave të drejtësisë dhe strukturave të shtetit.

Në një deklaratë gjatë një interviste në emisionin “Kafe Shqeto”, ish-prokurori Eugen Beci ka ngritur pikëpyetje serioze mbi rolin e prokurorisë dhe të strukturave shtetërore në procesin zgjedhor, duke lënë të kuptohet se zgjedhjet në Shqipëri nuk janë më thjesht një garë mes partive, por një përplasje e pabarabartë ku shteti vihet në shërbim të pushtetit.

Sipas Becit, hetimet penale që nisin mbi bazën e raporteve të OSBE/ODIHR nuk janë të mjaftueshme nëse nuk shoqërohen me veprime konkrete ndaj atyre që përdorin strukturat shtetërore për të ndikuar votën.

Ai theksoi se korrupsioni elektoral nuk ndodh ditën e votimit, por muaj më parë, përmes tenderëve, lejeve të ndërtimit që përdoren për të blerë vota në mënyrë të sofistikuar.

Deklarata e tij:

“Hetimet penale ti i ke vetëm për dy arsye. Arsyeja e parë, për të provuar se raporti i vëzhguesve të OSBE/ODIHR është i referuar apo jo dhe duke iu referuar të gjitha zgjedhjeve që ky raport ka, dhe ti duke i shoqëruar me vepra e procedime penale, e tejkalon dyshimin e konstatimit të raportit, por e kthen atë në zyrtar.

A përkthehet kjo në ndryshim rezultati? Jo, sepse është një hetim administrativ që ka lidhje me strukturat e tjera.

Në rast se raporti i OSBE/ODIHR thotë se ka intimidim të zgjedhësve nëpërmjet strukturave shtetërore, dhe ti e shoqëron këtë me një proces penal, atëherë ky raport është i vërtetë. Dhe te pjesa kur thotë se Prokuroria e Posaçme ka ndikuar në mbarëvajtjen e zgjedhjeve…

Prokuroria në përgjithësi, jo vetëm ajo e posaçme, në rast se hyn në luftën kundër krimit zgjedhor, duhet të hyjë muaj më parë, sepse vitet e fundit, zgjedhjet e fundit, ne kemi vënë re se nuk kemi më probleme vulgare të mënyrës së kryerjes së votimit.

Korrupsioni aktiv dhe pasiv nuk bëhet ditën e votimeve; bëhet minimalisht 3-4 muaj më parë dhe strukturat e shtetit, përmes ndërhyrjeve, kanë dhënë prova dhe kanë blerë votues.

Votuesit tashmë nuk blihen më me 50 mijë lekë apo me thesin e miellit që ka filluar si logjikë në Elbasan; tashmë është sofistikuar. Sot është sofistikuar përmes dhënies së lejeve të ndërtimit apo dhënies së VKM, dhe në rast se prokuroria është e gatshme që vlerëson një VKM apo ligj që është klientelist, atëherë bujrum, ka arsyen që të vlerësojë një klientelist nëse ky i fundit lë vota përmes korrupsionit në zgjedhje.

Si mund të dalësh e të garantosh e të thuash integritetin e zgjedhjeve do e garantoj me këtë task forcë, është e pamundur. Nuk mund të themi që SPAK ka dështuar, mund të themi që tërë sistemi i drejtësisë ka dështuar.

Ke falsifikimin e materialeve zgjedhore, falsifikimin të rezultatit,  kanosjen e zgjedhësve që e ka prokuroria e përgjithshme. Tek ‘qershia mbi tortë’ korrupsioni aktiv e pasiv i zgjedhësve që e ka SPAK, e nuk kishte fuqi parandaluese në kohë reale.  Nuk kishte objektivitet në rezultatin parandalues në kohë reale…

Disa VKM-ve të cilat në mënyrë indirekte ose në mënyrë interpretimi të përgjithshëm ndikojnë dhe mund të jenë korrupsion aktiv, do duhet që SPAK, meqë është një organ i specializuar, të japë një përgjigje.

Në rast se ka filluar ndonjë çështje kryesisht ose ka një kallëzim nga opozita në përgjithësi, kjo VKM që ka bërë një amnisti të tërheqjes së gjobave, a ka ndikuar drejtpërdrejt në zgjedhje? Dhënia e pensioneve, a është brenda shkeljes së ligjit? Dhe duke qenë se është shkelje e ligjit elektoral në të gjitha format, a do krijojë idenë e një korrupsioni aktiv?

Në rast se SPAK ka realizuar kontrolle banesash apo sekuestrime telefonash, pavarësisht nga cili krah, derisa realizon kontroll banesash dhe sekuestrime telefonash, ke të dhëna të mjaftueshme se kemi korrupsion pasiv në zgjedhje.

Publikuar nga Publik Media