Joni Keta apo Elton Kërluku do të drejtojnë BKH-në

Gara për kreun e ri të BKH-së hyn në fazë finale: Duel mes Joni Ketës dhe Elton Kërlukut, përplasje influencash brenda SPAK

Sot përfundon afati për riplotësimin e dosjeve personale nga kandidatët që garojnë për të marrë postin më të lartë në një nga institucionet kyçe të drejtësisë shqiptare Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH). Nga 13 kandidatë të regjistruar, vetëm dy, zv/drejtori aktual Joni Keta dhe ish-drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano, kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë dhe të saktë që në fazën e parë të vlerësimit.

Për 11 kandidatët e tjerë, Komisioni i Verifikimit, i përbërë nga Altin Dukani, Arben Kraja dhe Behar Dibra, ka konstatuar mangësi në dokumentacion, duke detyruar një shtyrje të afatit të vlerësimit me dy ditë.

Por ndërsa procesi administrativ duket formal, lufta e vërtetë zhvillohet pas dyerve të mbyllura, ku emrat që pritet të përballen në finalen e garës janë Joni Keta dhe Elton Kërluku, të dy oficerë aktualë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Loja e mbështetjeve politike brenda SPAK

Burime të brendshme i thanë Ora News se Elton Kërluku, një nga oficerët më aktivë të BKH-së, gëzon mbështetjen direkte të kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili sipas burimeve, ka shprehur preferencë të qartë për ta parë Kërlukun në krye të strukturës hetimore për mandatin 5-vjeçar.

Në anën tjetër, Joni Keta, i cili mban aktualisht detyrën e zv/drejtorit të BKH-së, mbështetet fort nga Arben Kraja, ish-kreu i SPAK dhe një prej figurave që luajti rol kyç në ngritjen e Byrosë. Kraja e njeh nga afër punën e Ketës dhe besohet se po lobon fuqishëm për të siguruar emërimin e tij.

I vetmi anëtar i komisionit që ende nuk e ka bërë të qartë pozicionimin e tij është prokurori Behar Dibra, i cili mban një votë vendimtare në këtë proces dhe mund të anojë balancën në favor të njërës palë.

Një garë që zbulon përçarjet në sistemin e drejtësisë

Kjo garë për postin e kreut të BKH-së nuk është thjesht një procedurë institucionale. Ajo ka shndërruar procesin në një test force për përplasjet brenda strukturave të drejtësisë, ku interesat personale, ndikimet e jashtme dhe rivalitetet institucionale janë më të theksuara se kurrë.

SPAK, një institucion që duhet të garantonte pavarësinë e hetimit dhe ndarjen nga interesat politike, duket se përballet vetë me një sfidë të brendshme për kontrollin mbi një strukturë që ka në dorë hetimin e zyrtarëve të lartë, aferave milionëshe dhe krimit të organizuar.

Publikuar nga Publik Media