Jorida Tabaku gruaja më e votuar ndër deputetët e kuvendit

Kandidatja e PD për deputete në listën e hapur për qarkun e Tiranës, është gruaja më e votuar ndër kandidatet femra që do të jenë në parlamentin e ri të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Tabaku ka arritur të mbledhë mbi 20 mijë vota, duke u renditur e para në listën e emrave më të votuar nga qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.

Në një postim në facebook, Jorida Tabaku falënderon të gjithë ata që e votuan dhe e mbështetën në sfidën e saj të radhës që për të nuk ishte e lehtë.

Jorida Tabaku: Falenderime pa fund për këdo që më votoi, që më mbështeti dhe që ishte me mua në këtë sfidë të radhës, e cila për të thënë të drejtën nuk ishte aspak e lehtë.

Mirënjohje çdo demokrati që punoi, trokiti në çdo derë dhe më shoqëroi në çdo ecje e në takime që nisnin në agim dhe përfundonin në mbrëmje, duke bërë të mundur që sot të kem këtë mbështetje!

U jam pafund mirënjohëse të gjithë demokratëve; anëtarëve, aktivistëve, komisionerëve, numëruesve, drejtuesve lokalë. Për lodhjen, sakrificën dhe forcën e besimit! Ju jeni Partia Demokratike!

Së fundmi, falenderime nga zemra për familjen time; Saimirin dhe fëmijët, mamin, babin, Fisnikun dhe Lornën, si dhe familjen e madhe që ishte me mua deri në votën e fundit.

Fatkeqësisht nuk arritëm dot të sjellim rotacionin politik aq të nevojshëm për Shqipërinë, pasi ky sistem prodhoi edhe një garë të brendshme shpeshherë të padrejtë. Por përgëzime për të gjithë, veçanërisht për kolegun Alimehmeti, me të cilin ndamë sprintin e fundit të kësaj gare, për fushatën dhe mbi të gjitha, për qytetarinë.

Publikuar nga Publik Media