Një kontratë këtu, një tender atje dhe të gjitha për Kadri Morinën. Kompania e tij e siguracioneve INSIG sha ka përfituar 160 kontrata publike në vetëm pak vite. Të gjitha me një detaj të përbashkët: “Flamur të Kuq”. Kjo është shenja që vendos Open Data Albania për tenderat me risk të lartë korrupsioni, për shkak të mungesës së konkurrencës dhe favorizimit të hapur.
Kadri Morina nuk është një emër i panjohur. Ai ka pozuar krah për krah me Edi Ramën, sidomos në raste fatkeqësish natyrore dhe kjo duket se ka mjaftuar për ta bërë siguruesin “zyrtar” të shtetit shqiptar. Drejtorët dhe zyrtarët e lartë duket se e kanë marrë mesazhin: tenderat e siguracioneve shkojnë automatikisht te Morina.
“Fituesi i vetëm” në çdo garë
Më 2 maj 2025, Dhurata Frashëri, drejtoresha e Shërbimeve Qeveritare, shpalli fituesin e tenderit për sigurimin e ndërtesave qeveritare (Loti 1). Kontrata shkonte në 987,450 lekë pa TVSH, dhe – çudi e madhe pjesëmarrës ishte vetëm një: INSIG sha. Oferta? 99.9% e fondit limit. Pra, pa asnjë kursim për buxhetin publik.
Siç njofton vetë drejtoria, në këtë procedurë ka marrë pjesë vetëm Operatori Ekonomik – INSIG SH.A. Oferta është gati sa 99.9% e fondit limit, 987,350 Lekë pa TVSH.
Dhe meqenëse e ka nisur me Kadri Morinën, Drejtoresha ka vazhduar me Loti 3: “Siguracion i automjeteve”, me fond limit: 2,692,340 Lekë pa TVSH. Edhe këtë tender e ka marrë INSIG pa garë.
Po ashtu, Loti 2: “Siguracion i veprave të artit”, me fond limit 499,893.3 Lekë pa TVSH i ka shkuar shoqërisë së Morinës.
Sipas dokumenteve, kriteri i përzgjedhjes së fituesit të tenderit duhet të ishte oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim. Por, Kadri Morina konkurron vetëm me veten.
E njëjta skemë me Loti 2 për sigurimin e veprave të artit vlera gati 500 mijë lekë. Edhe këtu, një operator, një fitues. Dhe Loti 3, që mbulon sigurimin e automjeteve shtetërore, i shkon sërish INSIG-ut pa garë, me vlerë 2.7 milionë lekë.
Nga vilat qeveritare, tek burgjet e shtetit
Por kulmi arrihet me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ku Klevis Qose ka shpërndarë një tender gjigant me fond gati 1 miliard lekë (99,587,442 lekë pa TVSH). Pjesëmarrësit? Vetëm dy: INSIG SHA dhe Eurosig SHA të dyja të lidhura me Morinën.
Tenderi është klasifikuar si “pa konkurrencë”, një sinjal i qartë se procedura është ndërtuar për të favorizuar një operator të paracaktuar. Madje, tenderi është rishpallur, një praktikë që përdoret shpesh për të eliminuar konkurrentët realë dhe për të krijuar kushte sa më të përshtatshme për fituesin “e dëshiruar”.
Kontrata ka afat 4-vjeçar dhe është nënshkruar me një vlerë pothuajse sa plafoni maksimal i lejuar, duke e zhveshur krejtësisht prokurimin nga logjika e konkurrencës dhe eficencës.
Ligji lejon, por morali mungon
Ligji shqiptar i lejon prokurimet me një operator të vetëm, por vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe me arsyetim ligjor të dokumentuar. Në këtë rast, asgjë nuk është bërë publike. As një justifikim, as një arsyetim. Asgjë që të shpjegojë pse paratë e taksapaguesve po shkojnë pa garë në një xhep të vetëm.
Ndërkohë, flamuri i kuq i Open Data Albania valëvitet mbi gjithë këto tendera një paralajmërim për rrezikun që para publike po përdoren për të forcuar klientelën e pushtetit.
Në Shqipëri siguracionet e qeverisë nuk janë për të mbrojtur pronën publike. Janë për të ushqyer aleancat private. Dhe Kadri Morina është shembulli më i qartë i një “risku të mbuluar” politikisht.
Më datë 8 korrik, në Gjykatën e Lartë do të zhvillohet seanca gjyqësore për Erion…
Policia ka humbur një nga armët më të forta të besimit qytetar Një nga platformat…
Tensionet në Lindjen e Mesme kanë shpërthyer sërish, pasi shpërthime të fuqishme u dëgjuan këtë…
Arben Llangozi Komuniteti Europian, në përpjekjen e përvitshme për të na bindur se “gjërat po…
Në një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Bashkia Vau i Dejës, është lidhur një…
Trump u jep paralajmërim iranianëve Presidenti Donald Trump i paralajmëroi iranianët të evakuojnë kryeqytetin e…