Kalaja kërkon rinumërim: Më janë vjedhur votat

Mori mbi 8.100 vota, por nuk siguroi mandat!

Aulon Kalaja, kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Durrësit, arriti të marrë mbi 8.100 vota, por sërish nuk ka mundur të sigurojë mandatin e deputetit.

Kalaja tha se PD arriti që të fitojë Krujën pas shumë vitesh dhe se është krenar me këtë. Ai tha se kërkon rinumërim të votave në qarkun Durrës. Kalaja nënvizoi se i janë vjedhur votat atij dhe kolegëve të tij, duke shtuar se shkeljet i ka dorëzuar në SPAK.

Ndërsa, gazetari Ben Andoni tha se uron që Kalaja të hyjë në parlament, pasi individë si ai, që hyjnë në Kuvend me vota të pastra, janë ata që nevojiten në Kuvendin e Shqipërisë.

Aulon Kalaja: Kam marrë mbi 8100 vota personale. Unë bashkohem me atë që quhet farsë elektorale. Denoncimi duhet bërë në Bruksel dhe në Uashington. Unë mendoj që falja e gjobave dy ditë para zgjedhjeve ka ndikuar në rezultatin zgjedhor. Shkeljet zgjedhore i kam kallëzuar në SPAK. Kam kërkuar rinumërim votash në qarkun Durrës. Më janë vjedhur votat, që janë të pastra. Fushata më ka kushtuar diku tek 6 mijë euro. Nuk kam bashkëpunuar me banda, nuk kam pasur banda pas meje. Kemi raste të “çmendura”, në Durrës dhe në Elbasan, që kanë marrë 21 mijë vota. Këto janë mandate me “karton të kuq”.

Ben Andoni: Më 2025 të flitet për pjesën zgjedhore është e turpshme. Dy partitë politike duhet të këmbëngulnin tek numërimi elektronik. Të mos kesh besim tek komisionerët e tu, ky është problem. Të tjetërsohen votat është një problem i madh. Unë uroj që Auloni të futet në parlament. Uroj që brezi i ri që ka marrë votat ndershëm të jetë në Kuvend dhe ta shikojnë në sy kryetarin e partisë së tyre./BW

Publikuar nga Publik Media