Përfundojnë 2 ndeshjet e raundit çerekfinale të Champions League. Barcelona ka “mbaruar” punë që në sfidën e parë, teksa ka mposhtur me rezultatin 4-0 Borusian e Dortmundit. Vendasit zhbllokuan rezultatin falë Pau Kubarsit, në minutën e 25. Pas ekzeutimit të goditjes së dënimit, dhe pas një pasimi me kokë nga Inigo Martinez brenda zonës, Kubarsi dërgoi topin në rrjetë.
Festa e katalanasve u ndal për një moment nga VAR dhe më pas goli u konfirmua i rregullt. Ndërkohë që goli iu quajt Rafinjës, mesa duket braziliani ishte i fundit që e preku topin.
Barça e nisi direkt me gol pjesën e dytë. Katalanasit dyfishuan shifrat pas një aksioni të shpejtë, ku Lamin Jamal krosoi bukur në zonë, Rafinja asistoi me kokë për Levandovski-n, polaku dërgoi topin në rrjetë.
Ekipi i drejtuar nga Hansi Flik gjeti edhe golin e tretë. Një kundërsulm i shpejtë i katalanasve, Fermin Lopez depërtoi bukur në krah dhe asistoi për Levandovskin, polaku shënoi golin e tretë për Barcelonën dhe të dytin personal për këtë takim. Ky ishte goli i 105 në Champions League për sulmuesin polak.
Në minutën e 77, Barcelona gjeti golin e katërt. Kundërsulm perfekt i katalanasve, pasi Levandovski rikuperoi topin dhe pastaj sfera përfundon te Jamal, i cili nuk fali para Kobel.
Në ndeshjen tjetër, PSG ka triumfuar me përmbysje në shtëpi përballë Aston Vilës. Francezët mposhtën ekipin anglez me rezultatin e pastër 3-1.
Aston Vila zhbllokoi rezultatin duke kalauar e para në avantazh. Një aksion fantastik i ekipit të drejtuar nga Unai Emeri, u finalizua në mënyrën perfekte.
Juri Tielemans asistoi bukur për Morgan Roxhers, i cili dërgoi topin në portën e mbrojtur nga Donaruma. Avantazhi i anglezëve nuk zgjati shumë.
PSG u kundërpërgjigj 4 minuta më vonë me supergolin e Due, i cili është vetëm 19-vjeç.
Me fillimin e pjesës së dytë, në minutën e 49 kampionët e Francës gjetën golin e avantazhit me Kvarashkelia.
Në minutën e 90+2, Nuno Mendes vulosi edhe rezultatin përfundimtar 3-1, duke siguruar kualifikimin e PSG që në ndeshjen e parë.