Një tjetër denoncim për Klotilda Bushkën: SPAK flet për intimidim dhe kërcënime dëshmitarësh
Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e “Ora News” lidhur me deklaratat e deputetes së Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, e cila ka paralajmëruar hapa ligjorë kundër denoncimeve publike që, sipas saj, janë shpifje dhe akuza të pabaza. Denoncimi i fundit lidhet me përfshirjen e saj në dosjen Veliaj–Xoxa, të hartuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), ku Bushka përmendet për rolin e saj në intimidimin dhe kërcënimin e dëshmitarëve, si dhe për përpjekje për të penguar hetimet.
Në një postim në rrjetet sociale, Bushka ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si sulme të qëllimshme nga media të caktuara:
“Në respekt të miqve, dashamirësve dhe të gjithë atyre që më njohin dhe që më kanë besuar votën e tyre, ndjej detyrimin të sqaroj se shpifjet dhe balta që po hidhet ndaj meje janë tërësisht të pavërteta. Këto janë sajesa me qëllime të caktuara dhe nuk kanë asnjë bazë në realitet. Për këtë arsye, që nesër do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të vënë drejtësinë në vend. E vërteta nuk mund të fshihet nga gënjeshtra!”, shkruan deputetja socialiste.
Denoncuesi: Ka prova dhe do t’i dorëzojë SPAK-ut
Pas kësaj deklarate, një denoncues anonim ka kontaktuar “Ora News”, duke theksuar se disponon fakte dhe prova që konfirmojnë lidhjet e Bushkës me figurat kyçe të sistemit të drejtësisë. Ai shton se këto prova janë gati për t’u dorëzuar në SPAK.
Prej disa javësh, “Ora News” ka raportuar për lidhjet mes deputetes socialiste dhe ish-kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami. Sipas informacioneve të mëparshme, në biseda të brendshme është diskutuar për një premtim të dhënë ndaj Llagamit për një post në Gjykatën Kushtetuese pas përfundimit të mandatit të saj në KLGJ – një premtim që ende nuk është realizuar.
Denoncuesi pretendon se ka pritur momentin për të dorëzuar të gjitha provat pranë SPAK-ut dhe tashmë është i gatshëm ta bëjë këtë.
Takime të vazhdueshme mes Bushkës, Metanit dhe Llagamit
Nga raportimet dhe dëshmitë e mbledhura deri më tani, takimet mes Klotilda Bushkës, Ilir Metanit (ish-Inspektor i Lartë i Drejtësisë) dhe Naureda Llagamit kanë qenë të vazhdueshme dhe janë zhvilluar në periudha të ndryshme.
Me këtë zhvillim të ri, mbetet për t’u parë se si do të reagojë SPAK dhe nëse deputetja socialiste do të përballet me një hetim të zgjeruar për akuzat e reja që po rëndojnë mbi të.
Më poshtë foto të bisedës ku zonja Bushka përfaqësohet me numër telefoni që çdo votues i saj besojmë e njeh:
Por skandali thellohet dhe më tej. Në tentativa për të kapur SPAK-un dhe GJKKO-në për dosje të Erion Veliajt, ish-Kryetarja e KLGJ-së, Llagami shfaqet duke thënë që “bie gjithë Bashkia”.
Po ashtu, në një formulim që nuk i shkon për shtat asnjë femre, e aq më pak ish-kryetares së KLGJ-së dhe kandidates për Gjykatë Kushtetuese, Naureda Llagami shfaqet duke cilësuar në mesazhe një prokuror të SPAK, z. Dritan Prençi si “kokëlopë”.
KLGJ nuk mund të kapte kokëlopat që refuzonin ndikimin e tyre.
Dhe pas këtyre pyetja që mbetet është: KLGJ dhe Komisionin e Ligjeve a do e hetojë SPAK-u? Apo do pranojë nëpërkëmbjen e emrit të vet në këtë lloj forme qesharake e aspak ligjore?
Më poshtë komunikimi i Llagamit për SPAK-un me një anëtar të gjyqësorit, që nuk kishte akses mjaftueshëm:
BISEDA 8 dhjetor 2023
-Ka operacion tjetër.
Eda (Naureda Llagami): Po pra, kështu e di edhe unë.
-E pra!
Eda (Naureda Llagami): I bie gjithë bashkia.
– Si s’kemi asnjë andej mi… nga SPAK.
Eda (Naureda Llagami): Jo mi. Ku?
– Të na jepte info.
Eda (Naureda Llagami): Dritan Prençin të kesh?! Kokëlopë!
– Jena dobët, hahahaha.
Eda (Naureda Llagami): Aman.