Kolapsi i blegtorisë dhe varësia nga importi i mishit nga bota

Shqipëria  importoi 84 mln euro mish në 2024

Importi i mishit dhe nënprodukteve të tij në Shqipëri arriti në një vlerë alarmante prej 84 milionë euro gjatë vitit 2024, duke shënuar një rritje prej 9.1% krahasuar me vitin 2023. Kjo nuk pasqyron rritje të konsumit, por është një reflektim i zymtë i një realiteti në të cilin blegtoria në vend po zhduket dhe fshatrat po shpopullohen në mënyrë dramatike.

“Janë shitur bagëtitë të gjitha. Në Shqipëri nuk merret më njeri me blegtori. S’po e kuptoj se çfarë po bëhet,” shprehet me shqetësim kasapi Sinani, duke reflektuar mbi një realitet të dhimbshëm që prekin direkt jetesën e tij dhe të shumë shqiptarëve.

Sipas të dhënave, më shumë se një e treta e mishit importohet nga Brazili, ndërkohë që Greqia, Shtetet e Bashkuara dhe Italia pasojnë në listën e furnizuesve. Ky varësim nga importi është rezultat i dy faktorëve kryesorë: largimi masiv i banorëve nga zonat rurale dhe falimentimi i komplekseve blegtorale në vend, siç shpjegon pedagogu Ndoc Faslia.

Kosto për konsumatorët dhe për ekonominë

Ndërkohë, rënia e prodhimit vendas dhe varësia nga importet po rëndojnë gjithnjë e më shumë xhepat e qytetarëve. Çmimi i mishit ka pësuar një rritje dramatike:

•100 lekë për kilogram për mishin e viçit dhe kecit,

•deri në 250 lekë për kilogram për mishin e qengjit.

Këto rritje janë një goditje e rëndë për buxhetin e familjeve shqiptare, në një kohë kur pagat dhe mirëqenia mbeten të pamjaftueshme.

Politikat e dështuara dhe subvencionet e munguara

Ekspertët janë të një mendimi: Shqipëria nuk ka nevojë për kapacitete përpunuese më të mëdha, por për një orientim të qartë të subvencioneve në sektorin blegtoral. Në vend që të mbështetet bujqësia dhe blegtoria, politika duket se ka dështuar të ndërtojë një strategji afatgjatë për të mbrojtur prodhimin vendas.

Kush përfiton?

Rritja e importit të mishit është një fitore për tregtarët dhe kompanitë e importit, por një disfatë për fermerët shqiptarë dhe për konsumatorët e zakonshëm. Në vend që të stimulohet blegtoria dhe të sigurohet vetë-mjaftueshmëria, politika e tanishme po i hap rrugë monopolizimit të tregut nga aktorët e huaj dhe një shkatërrimi të burimeve lokale.

1.Subvencionet duhet të kanalizohen drejt blegtorisë, me mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët.

2.Duhet të krijohen kushte për rikthimin e popullsisë në fshat, duke garantuar infrastrukturë, akses në treg dhe siguri për prodhimet.

3.Standardizimi dhe promovimi i prodhimit vendas duhet të jenë prioritete kombëtare.

Nëse nuk ndërmerret asnjë hap i rëndësishëm, Shqipëria rrezikon jo vetëm të humbasë një pasuri kombëtare, por edhe të rritë varësinë ndaj importeve, duke vendosur sigurinë ushqimore të vendit në rrezik.

Publikuar nga Publik Media