Qindra abonentë pa shërbim, pa përgjigje dhe pa zgjidhje
Një nga kompanitë më të mëdha të komunikimit në Shqipëri, “ONE”, ndodhet përballë një krize të thellë funksionale, ndërsa klientët e saj flasin për një kolaps total të shërbimit. Abonentët personalë dhe ata me kontrata biznesi po denoncojnë prej javësh mungesën e internetit në celularë, pavarësisht se paguajnë tarifa të larta për plane që në letër ofrojnë shërbim “pa limit”.
Në qendër të ankesave ndodhet paketa “Ultra150”, që sipas dhjetëra qytetarëve, është kthyer në një mashtrim të kushtueshëm. Klientët raportojnë se nuk kanë pasur akses në internet për më shumë se një muaj, ndërsa “shërbimi ndaj klientit” u jep përgjigje standarde dhe i kalon ankesat në një “departament fantazëm”, që në mënyrë absurde deklaron se “çdo gjë është në rregull”.
“Jemi pafund klientë të ONE që kemi probleme me internetin. Kam plan pa limit Ultra150, por jam pa shërbim prej më shumë se një muaji. Edhe pse më shfaqet 5G në ekran, nuk funksionon fare. As internet, as thirrje vetëm pagesa të përmuajshme pa kthim,” thuhet në një prej denoncimeve të shumta të abonentëve.
Kjo situatë nuk kufizohet vetëm tek përdoruesit individualë. Punonjës të tëra kompanive, që kanë numra të regjistruar si biznes me “ONE”, raportojnë të njëjtin problem: mungesë totale shërbimi. “Jemi të gjithë pa shërbim. As internet, as mundësi për të bërë telefonata, por çdo muaj na vjen fatura 18 mijë lekë e paprekur,” shprehen disa prej tyre.
Mashtrim masiv apo kolaps i teknologjisë?
Mungesa e transparencës nga kompania “ONE” ka ngritur alarmin për një kolaps më të thellë se sa duket në sipërfaqe. Një krizë teknike mund të ndodhte për pak orë apo ditë, por kur problematika zgjat me javë dhe mujorë, ndërkohë që klientët vazhdojnë të tarifohen, kemi të bëjmë me një model abuziv të tipit “paguan për shërbim që nuk ekziston”.
Edhe më shqetësuese është tendenca në rritje e largimit të klientëve nga kjo kompani. Pas bashkimit me rrjetin Albtelecom, një pjesë e konsiderueshme e abonentëve të vjetër nuk kanë pranuar të vazhdojnë me “ONE”, duke u larguar masivisht drejt operatorëve të tjerë për shkak të problemeve të përsëritura dhe mungesës totale të reagimit nga kompania.
Heshtje, mungesë transparence dhe dëm ekonomik
“ONE” deri më tani nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare për të sqaruar situatën, duke treguar një mungesë totale përgjegjshmërie ndaj klientëve të vet. Në vend të komunikimit të sinqertë dhe transparencës, zgjedh të heshtë, duke lënë qytetarët në errësirë – në kuptimin e plotë të fjalës.
A është kjo një strategji për të mbajtur abonentët të lidhur në kontrata nga të cilat nuk mund të largohen lehtë, apo thjesht paaftësi menaxheriale për të përballuar krizën teknike?
Në çdo rast, ky është një rast i pastër për hetim nga institucionet e mbrojtjes së konsumatorit dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Një kompani që ofron shërbime jetike nuk mund të veprojë si në xhungël, pa asnjë kontroll, duke dëmtuar financiarisht dhe psikologjikisht qytetarët