“Kombi që shuhet”: Shqipëria drejt shpopullimit tragjik

OKB paralajmëron përgjysmim të lindjeve deri në vitin 2054


Albert Mero

Një kambanë alarmi me jehonë të zymtë për të ardhmen e Shqipërisë vjen nga Kombet e Bashkuara. Në raportin e fundit global për fertilitetin gjatë viteve 2024-2054, Shqipëria renditet ndër tre vendet e botës me rënien më të thellë të lindjeve, përkrah Porto Rikos dhe Xhamajkës. Projeksionet janë tronditëse: në 30 vitet e ardhshme, numri i lindjeve në vend do të përgjysmohet.

Nëse në vitin 2014 lindnin mbi 35 mijë foshnja, sot ky numër ka rënë në vetëm 22 mijë. Dhe sipas parashikimeve të OKB-së dhe të dhënave të INSTAT, deri në vitin 2050 do të lindin vetëm 10-11 mijë foshnja në vit, një statistikë që i ngjan më shumë një raporti lufte sesa një vendi në paqe.

Në zgrip të zhdukjes: Gratë shqiptare nuk lindin më

Norma e fertilitetit në vend është rrëzuar në nivele alarmante. Nga 5.1 fëmijë për grua në vitet 1970, ky tregues ka rënë në 1.21 më 2022, shumë poshtë pragut të zëvendësimit natyror prej 2.1. Kjo do të thotë se çdo çift në Shqipëri nuk zëvendëson më veten, dhe popullsia do të plaket dhe do të tkurret në mënyrë të pakthyeshme.

Në disa qarqe si Vlora dhe Korça, fertiliteti ka zbritur nën një fëmijë për grua – një tregues tragjik që shënon një epokë të re: epoka e shpopullimit shqiptar.

Arsyet: Varfëria, emigracioni dhe humbja e shpresës

Sipas analizës së OKB-së, dy faktorë kryesorë po zhysin Shqipërinë në krizën demografike:

  1. Normat e ulëta të lindshmërisë tek gratë në moshë riprodhuese, që përballen me vështirësi ekonomike, mungesë perspektive dhe pasiguri sociale.
  2. Emigracioni masiv i të rinjve, që përveç largimit të fuqisë punëtore, largon edhe shpresën për të ndërtuar familje në Shqipëri.

Shtyrja e martesës, varfëria dhe synimet për karrierë jashtë vendit po bëjnë që gratë shqiptare të mos kenë më fëmijë ose të kenë vetëm një. Kjo nuk është më zgjedhje personale, por pasojë e politikave të dështuara shtetërore dhe braktisjes së plotë të rinisë.

Kujt i bie fajësia?

Qeveritë shqiptare – me programe propagandistike të tipit “Shqipëria e ardhmes” – kanë dështuar të ndalojnë këtë hemorragji njerëzore. Në vend që të ofrojnë politika reale për mbështetje të familjes dhe lindjeve, ato kanë shpërndarë spot-e publicitare dhe luks për ministra me çanta Hermes, ndërkohë që maternitetet boshatisen.

Të lindësh fëmijë në Shqipëri sot është akt guximi, jo domosdoshmëri natyrore. Sepse vendi po shndërrohet në një atdhe pa të ardhme. Sepse sistemi i shëndetësisë është i rrënuar. Sepse pagat janë mjerane. Sepse çdo nënë e re, përpara se të lindë, mendon si të ikë.

Një vend që nuk lind, është një vend që vdes

Në një moment kur luftërat, krizat klimatike dhe varfëria po sfidojnë popuj të tërë, Shqipëria po shuhet pa asnjë të shtënë arme. Po shuhet në heshtje. Dhe kjo është kriza më e madhe kombëtare që askush nuk po e emëron si të tillë.

Publikuar nga Publik Media