Komisioneri vetingut ose kandidati për deputet i PS-së, Olsi Komici, i lidhur me skandalin e pulës me salmonelë

Një investigim që nis me 7000 kg mish të kontaminuar dhe përfundon në zyrat e pushtetit të lartë

Brenda më pak se dy ditësh, një skandal shëndetësor dhe një vendim politik u ndërthurën në mënyrë perfekte për të prodhuar atë që në Shqipëri është bërë tashmë rregull: përgjegjësit shpërblehen, ndërsa fajtorët zyrtarë janë anonimë.

Më 11 mars 2025, mbi 7000 kg fileto pule e kontaminuar me bakterin vdekjeprurës të salmonelës u shpërnda në rrjetet kryesore të supermarketeve në Shqipëri. Ky mish, që duhej ndaluar në kufi, kaloi pa pengesë kontrollet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), përfundoi në frigoriferët e bizneseve dhe më pas në sofrat e qytetarëve. Skandali u trajtua si një “incident” dhe u mbyll me arrestimin e tre personave të panjohur për publikun – të akuzuar për falsifikim dhe mashtrim. Por ajo që nuk u tha, është se hetimi nuk nisi kurrë aty ku duhej: në zyrën e atij që kishte përgjegjësinë ligjore për të ndaluar këtë ngjarje – Drejtorit të Përgjithshëm të AKU-së.

Më 13 mars – vetëm dy ditë pas shpërthimit të skandalit – kryeministri Edi Rama e liroi nga detyra drejtorin e AKU-së, pa asnjë shpjegim publik, dhe e propozon menjëherë si kandidat për deputet në qarkun e Elbasanit. Në çdo vend normal, kjo do të shkaktonte një ortek pyetjesh, reagimesh dhe hetimesh. Por në Shqipëri, ku klientelizmi dhe papërgjegjshmëria janë standard institucional, kjo u paraqit si një “rotacion” i zakonshëm.

Olsi Komici nga  skandali te kandidatura – një skemë amnistimi politik

Kjo nuk është aspak rastësi. Burime nga brenda strukturave të AKU-së konfirmojnë se informacioni për ngarkesën me mish të kontaminuar kishte mbërritur më herët në zyrat e institucionit, por u urdhërua heshtja. Kompanitë importuese janë të lidhura me interesa të fuqishme ekonomike, që prej vitesh gëzojnë mbështetje nga zyrtarë të lartë të qeverisë. Rasti i pulës me salmonelë është vetëm maja e ajsbergut në një treg ku siguria ushqimore rregullohet me ryshfet, e jo me ligj.

Drejtori i AKU-së, tashmë kandidat për deputet, ka nënshkruar vetë disa nga autorizimet për kompaninë që importoi mishin. Pyetja që lind natyrshëm është: pse nuk po hetohet ai? Pse nuk u thirr për të dhënë shpjegime? Apo më keq akoma: a është kjo kandidaturë një formë mbrojtjeje politike, që i jep imunitet dhe e amniston nga çdo përgjegjësi?

Tre “të vegjël” në pranga – ndërsa të mëdhenjtë shpërblehen

Prokuroria ka zgjedhur rrugën më të lehtë: ka ndaluar tre persona të panjohur, të cilët në skemën e madhe janë thjesht hallka të ndërmjetme. Ata nuk kanë pasur as kontrollin, as kompetencën për të ndaluar mishin e infektuar. Janë thjesht sekserë të një sistemi të kalbur, që po përdoren si “kokë turku” për të mbuluar të vërtetën.

Në vend që hetimi të thellohet në zinxhirin e vendimmarrjes – nga firmosja e autorizimeve, te kontrolli doganor, e deri te analizat laboratorike që nuk u kryen kurrë – drejtësia ka zgjedhur të qëndrojë në sipërfaqe.

Kërkohet hetim i plotë dhe transparent

Publiku shqiptar ka të drejtë të dijë kush e lejoi mishin me salmonelë të kalojë në treg. Ka të drejtë të kërkojë përgjegjësi institucionale, jo vetëm penale. Dhe mbi të gjitha, ka të drejtë të kërkojë që kandidatët për deputetë të mos jenë persona nën dyshim për afera që rrezikojnë shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Hetimi duhet të nisë aty ku është dhënë urdhri – në zyrat e drejtuesve të AKU-së dhe institucioneve të tjera mbikëqyrëse – jo tek tre emra anonimë që nuk kanë pasur kurrë pushtet real.

Publikuar nga Publik Media