KOMPLOT PËR VRASJEN E ZELENSKYT

Ish-agjenti sovjetik, pensionist polak, planifikonte atentat me dron ose snajper, u kap nga  shërbimet sekrete

Një ngjarje alarmante që ngjan si e dalë nga romanet e Luftës së Ftohtë ka tronditur sigurinë evropiane: Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ishte në shënjestër të një atentati të organizuar nga një pensionist ushtarak polak – një ish-agjent i rekrutuar nga Rusia Sovjetike dekada më parë.

Lajmi u konfirmua nga kreu i Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Ukrainës (SBU), gjeneral-lejtnant Vasyl Malyuk, në një takim të mbyllur me median ukrainase. Sipas tij, atentatori i mundshëm ishte aktivizuar sërish nga shërbimet ruse me misionin për të ekzekutuar Zelenskyn gjatë një vizite të mundshme të tij në aeroportin Rzeszów-Jasionka të Polonisë.

Plani ishte i sofistikuar dhe përfshinte dy skenarë të mundshëm: përdorimin e një droni FPV të ngarkuar me eksploziv ose eliminimin përmes një snajperi. Autoritetet nuk përjashtojnë që ai të kishte mbështetje logjistike nga rrjetet pro-ruse në territorin polak.

Sipas mediave TSN dhe RBC, burri ishte i magjepsur prej dekadash nga ideologjia sovjetike dhe kishte ruajtur bindjet e tij edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Por komploti u çmontua falë një operacioni të përbashkët të SBU-së dhe shërbimit të sigurisë polake ABW, duke shmangur një krizë të mundshme të sigurisë ndërkombëtare dhe një atentat që do të trondiste Evropën.

Ngjarja tregon se hija e Moskës vijon të shtrihet larg kufijve të saj  edhe përmes figurave që në letër duken të padëmshme: pensionistë të heshtur, por me të kaluar të errët dhe ideologji të pakapur nga koha.

Publikuar nga Publik Media